SPECIALE COVID-19: Si po përjetohet nga shqiptarët e Kanadasë - Nga Toronto flet Hajro Çini
- Published in Komunitet

E trishtueshme, e pasigurtë dhe e frikshme ajo që po përjetojmë të ngujuar në shtëpi prej ditësh dhe pa ditur se sa kohë. Jashtë sot dielli shndrit ngazëllueshëm, por është shumë e rrezikshme të dalësh.
Nuk është hera e parë që njerëzimi është ndeshur me epidemi, ndoshta edhe më të mëdha nga kjo e tanishmja, por asnjëherë më parë njerëzimi nuk ka pasur mundësi të tilla financiare sa sot. Është e dhimbshme të dëgjosh se në Itali, një nga vendet më të zhvilluara të botës, varrosën mijëra njerëz.
Rasti i parë i virusit në USA dhe Korenë e Jugut u shfaq në Janar 2020, në pothuajse në një ditë, por ndërsa Koreja e Jugut u mobilizua menjëherë, USA është akoma shumë prapa. Është e pajustifikueshme që USA që harxhon 700 miliard dollarë në armatime, nuk ka siguruar as bazën më të nevojshme mjeksore për të përballuar epideminë.
Harxhohen triliona – shkruan Talebi – për luftë dhe mbrojtje, kur armiku më i rrezikshëm të shfaqet kur përplas dorën me ndonjë banakier.
Ky virus, ashtu si SARS para tij, tregoi qartazi se bota ose është e ç’organizuar dhe nuk di se çfarë bën, ose është e orientuar qëllimisht gabim.
Askush nuk mund të përdorë më armatimin bërthamor, sepse reaksioni zinxhir shkatërron botën. Bombardimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, ishin sa të pajustifikuara, aq edhe krim ndaj njerëzimit, por duke qënë se vetëm USA e kishte atë armë, të gjithë të tjerët u nënshtruan, deri kur një fuqi tjetër e prodhoi. Që nga ai moment, asnjë financë nuk duhej shpërdoruar dëm më në armatimin bërthamor.
Me shpresë tek Zoti, gjërat do të zbuten dhe le të shërbejë Coronavirus për të orientuar njerëzimin drejt zhvillimit dhe jo shpenzimeve të pakuptimta militariste, apo të luftrave të pakuptimta, shpesh të iniciuara për motive të pandershme, por të paraqitura publikisht si të detyruara dhe të paevitueshme.
©Flasshqip.ca












