Komunitet

SPECIALE COVID-19: Situata në Toronto surreale, por tragjikja dhe komikja shkojnë bashkë - Na shkruan Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Komunitet
Nga: Artan Gjyzel Hasani

Asnjëherë nuk kemi qenë në një situatë kaq dramatike. Tragjike për Italinë dhe për vende të tjera të Europës. Në Toronto dhe në Amerikë të Veriut ndjehet shumë më lehtë goditja. Mbase është akoma heret. Jam vetëizoluar dhe frymori i fundit që kam takuar këtë javë ishte një zog. Por paniku ekziston dhe është bërë tashmë një shqisë që nuhat atë që nuk ka ardhur akoma, vizitën e vdekjes, qe ka lajmeruar ardhjen, por që ne akoma nuk besojmë se mund të vijë. 

Nëse do shprehesha me fjalët e një mikes sime mjeke që përballet çdo ditë e më shumë me të sëmurët në një situatë krejt alarmante  “po jetojmë një kohë surreale, të pabesueshme, të paimagjinueshme, ka ndryshuar çdo gjë në stilin e tanishëm të jetesës, më duket sikur jetoj në një film dhe nuk kemi më frikë nga vdekja, pasi edhe sikur të vdes do më duket se do vdes në film, në një film absurd surreal, por shumë real, të cilin e krijuam vetë, dhe jemi protagonistë po vetë.”

Por si gjithnjë tragjikja dhe komikja shkojnë bashkë.

Prej disa ditësh, për të shmangur kontaktet fizike me të infektuar të mundshëm të panjohur, punojmë nga shtëpia. Krevati është bërë zyra jonë. Laptopi si zgjatim i jastëkut. Zgjohesh, hap sytë dhe e sheh veten në një conference call. Të gjithë kolegët me pizhama, me të brendshme, ndonjë edhe lakuriq duke i raportuar problematikën e punës bosit të madh, edhe ai lakuriq në shtratin e tij, por me kravatën e përhershme në fyt.

©Flasshqip.ca