Komunitet

SPECIALE COVID-19: Me shqiptarët në London, Ontario - Na shkruajnë Dr. Lulzim Rrafshi, Besnik Rexhvelaj dhe Fazli Mazreku

  • Published in Komunitet

Flasshqip.ca po vazhdon të ndjekë intensivisht situatën kritike të krijuar në Kanada nga pandemia COVID-19. Pas komunikimeve me Vancouver, Edmonton, Calgary, Regina, Winnipeg, Halifax e Toronto, më poshtë na shkruajnë tre personalitete të tjera të mirënjohura nga London, Ontario: Dr. Lulzim Rafshi, 24/7 në shërbim të pacientëve me një thirrje drejtuar komunitetit, kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Londonit, Besnik Rexhvelaj, i cili vë theksin te rëndesia e ruajtjes së komunikimit si dhe juristi Fazli Mazreku, që nuk e fsheh dot edhe brengën për situatën në Kosovë. Edhe në London asnjë i testuar pozitiv nga komuniteti ynë.

Dr. Lulzim Rrafshi

Ju shkruaj këtu si i angazhuar në front-line në Active Care Medical Centre në London, sëbashku me kolegët dhe stafin tonë mjekësor në dispozicion të përditshëm të pacientëve tanë të shumtë. Si edhe e gjithë bota, po ashtu edhe ne shoqëria kanadeze jemi duke përjetuar kohë të vështirë me COVID-19. Po ashtu edhe këtu në komunitetin e Londonit, njerëzit janë të frikësuar nga mundësia e infektimit me Coronavirusin. Eshte krijuar panik masiv dhe konfuzion. Fatkeqësisht, shumë nga qytetarët nuk duket që e kuptojnë seriozitetin e situatës së krijuar dhe vazhdojnë te dalin në ambiente të ndryshme nëpër qytet.

Sistemi mjekësor, mjekët dhe stafi mjekësor në veçanti janë të përkushtuar në maksimum në këtë situatë të krijuar, duke asistuar të gjithë pacientët me të gjitha mundësitë që kanë nëpër qendrat mjekësore dhe spitale. Ata janë në shërbim të qytetarëve 24/7.

Unë ju lutem dhe ju inkurajoj të gjithëve që të rrini në shtëpi. Kjo është imperative për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit apo shpërndarjes së Coronavirusit.

Mbajeni distancën sociale, pastroni duart me dezinfektues, mos prekni fytyrën, rrini në shtëpi, përcilleni situatën. Tregoni kujdes!

Mos harroni, nuk jeni të vetmuar, të gjithë jemi të afektuar nga kjo situate!

Pra, ti respektojmë rekomandimet e Njësive Shëndetsore Lokale (Local Health Units) dhe të shpresojmë që sëbashku do e tejkalojmë këtë krizë të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Une kam shumë besim se do t’ia dalim!

Ju lutem pra, qëndroni në shtëpi, sepse vetëm aty jeni të sigurt!

Ju përshëndes!

 

Besnik Rexhvelaj

Sikurse në të gjitha pjesët e tjera të Ontarios dhe Kanadasë edhe këtu në London situata ndihet e tensionuar për shkak të COVID-19. Në kushtet aktuale, si shoqatë nuk kemi parashikuar diçka të veçantë, por për ne fjala e ditës është kujdesi dhe komunikimi. Po mundohemi të komunikojmë sa më shumë me njeri-tjetrin në forma të ndryshme duke evituat në maksimum takimet e drejpërdrejta. Bashkia London, që ka deklaruar dhe gjendjen e emergjencës shëndetësore, na informon si shoqatë për situatën dhe vendimet përkatëse që merren. Në London janë të hapura deri tani dy qendra të posaçme që testojnë për virusin. Kemi fatin të kemi këtu edhe dy mjekë shqiptarë, Dr. Rrafshi dhe Dr. Aliaj të cilët janë angazhuar maksimalisht dhe me përkushtim.

Fazli Mazreku

Momenti kur u përhap lajmi se në Kinë është paraqitur një virus nuk më bëri shumë përshtypje, duke menduar se do të izolohet dhe do të kalojë sikur ka ndodhur me viruset e tjera që janë shfaqur më herët. Mirëpo, tani situata është krejt tjetër. Pandemia e Koronavirusit vetvetiu po më shtyn të mendoj ndryshe. Po bëj përpjekje që të shtoj kujdesin për vete dhe për familjarët, për miqtë dhe shokët, duke kontaktuar me ta në të shumtën e rasteve në menyrë virtuale.

Sipas informatave ditore, rrethi familjar dhe miqtë janë duke respektuar rregullat dhe po sillen sipas gjendjes duke kufizuar lëvizjet e panevojshme. Kjo më jep kurajo se keshtu më lehtë do të kalohet kjo gjendje akute që mund të ketë pasoja për jetën e gjithësecilit.

Jam i përqendruar në thithjen e informatave nga burime zyrtare që publikohen nga autoritetet kanadeze dhe OBSH.  Interesimi shkon përtej kësaj duke e parë këtë gjendje si diçka shumë të veçantë, madje, edhe si një lloj apokalipsi, sepse virusi ka arritur në të gjitha skajet e botës. Po bëj përpjekje që në biseda me njerëz t’i këshilloj që të mos bien pre e dezinformatave dhe teorive konspirative për mënyren e përhapjes së Koronavirusit.

Brenga ime shkon përtej oqeanit, atje në Kosovë, sepse edhe atje po rritet numri i të prekurve me virus dhe përkundër vështirësive, autoritetet kosovare janë duke marrë masa adekuate dhe jaë vigjilentë për pasojat që mund të shkaktojë virusi atje duke ditur faktin se një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës jetojnë në Itali, në vendin ku ka më shumë viktima të shkaktuara nga kjo murtajë.

Kosova, fatkeqësisht, po perballet me Koronavirusin dhe virusin politik të shkaktuar nga forca politike të cilat nuk po pajtohen me humbjen e pushtetit dhe me çdo kusht dhe rrethanë, pa zgjedhur mjetet, po përpiqen të rimarrin pushtetin në formën e grusht-shtetit. Kjo po vështireson punën e organeve përgjegjëse për të qenë edhe më efikase.

Përhapja e shpejtë e virusit dhe disproporcioni i reagimit të botes digjitale më krijon bindjen se nesër, kur të kalojë kjo gjendje, bota duhet të mendojë ndryshe, të veprojë ndryshe dhe të sillet ndryshe. Me siguri këtë do ta thotë më mirë shkenca por edhe qeveritë botërore.

©Flasshqip.ca