Komunitet

SPECIALE COVID-19: Me shqiptarët në Toronto - Na shkruajnë Konsulli i Kosovës, Donat Syla, Bujar Zejnullahu i SHBSHK dhe gazetari Adi Shkëmbi

  • Published in Komunitet

Donat Syla

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosoves ka reduktuar ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Republikës së Kosoves, si masë parandaluese ndaj virusit COVID-19. Përjashtim bëjne emergjencat e qytetarëve tanë qe aktualisht gjenden në Kanada. Po ashtu, Republika e Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë për kthimin e shtetasve tanë në vendlindje, të cilët për arsye objektive e kanë të pamundur të qëndrojnë më gjatë në Kanada. Me këtë rast shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje gjithë komunitetit tonë në Ontario që të ketë kujdes të shtuar, të mbaje distancën sociale si dhe të ndjekë udhezimet e institucioneve kompetente në mënyrë rigoroze, që ta përballojmë me sa më pak kosto me këtë pandemi, nga e cila kanë humbur dhe po humbin jetën mijëra njerëz në mbarë globin.

Bujar Zejnullahu

Përshëndetje Flasshqip, shpresoj të jeni mirë. SHBSHK po vëzhgon me kujdes situatën në Kanada dhe në trojet tona shqiptare, të gjitha takimet e muajit Mars janë anuluar dhe po respektojmë udhëzimet e Kryeministrit kanadez dhe këshilltarëve mjekësore duke praktikuar dhe respektuar Social Distancing. Unë shpresoj që ky virus të mos i lëndojë shqiptarët dhe uroj që bizneset e tyre të mos pësojnë humbje shumë të mëdha.

Adi Shkëmbi

Pandemia që ka prekur më shumë se gjysmën e Botës, nuk kishte si të mos vinte edhe në Kanada, më saktë në Toronto ku jetojnë një numër i madh shqiptarësh. E megjithatë lajmet që vinin nga përtej Oqeanit, përfshi edhe Shqipërinë tonë, ishin ende të prekshme vetëm përmes TV dhe internetit deri të premten e kaluar, kur Ministria e Arsimit e Ontarios njoftoi shtyrjen me dy javë të të gjitha shkollave.

Deri atëherë rastet e publikuara, i kam ndjekur edhe me atë skepticizmin "do kalojë se tek e fundit grip është". Skepticizëm jo dhe aq i pavend për ne shqiptarët që në Shqipëri kemi kaluar nga 3-4 viroza çdo vit. Por kur të vjen te "dera" je apo jo skeptik, gjëja e parë që të vjen në mendje është nëse fëmija jot është i sigurt.  Shtyrjes së shkollave iu shtuan edhe masat e tjera, mbyllja e bareve dhe restoranteve, u bënë radhët e gjata nëpër supermarkete per të blerë cdo gjë të nevojshme në rast karantine. Rrugët u boshatisën si me telekomandë dhe njerëzit i rralluan takimet me të njohurit e tyre. Të gjitha këto të krijojnë patjetër një gjendje pasigurie. Aq më shumë besoj për ne emigrantët që jemi edhe mijëra kilometra larg vendit tonë.

©Flasshqip.ca