Komunitet

SPECIALE COVID-19: Zgjidhni mirë burimet e informacionit dhe mos iu ndani humorit - Nga Arben Kallamata

  • Published in Komunitet

I dhashë fjalën përpara disa ditësh stafit të FlasShqip se do të shkruaja diçka për rubrikën e re "Speciale Covid-19", por e paskam të vështirë ta mbaj. Sepse është e vështirë të mbledhësh mendjen të shkruash në këto ditë dhe sepse nuk më dukej se mund të kisha për të thënë ndonjë gjë të re. Por fjala është fjalë dhe unë do përpiqem të them diçka.

Do të doja të jepja një këshillë për burimet e informimit. Jemi të gjithë thuajse gjithë kohën përpara ekraneve, me sytë dhe veshët ngritur për të marrë vesh ç’bëhet. Ndërkohë edhe ata që e kanë për profesion të përhapin lajme (të vërteta dhe të rreme), apo që e bëjnë këtë punë thjesht për pasion, për sport, nuk janë të pakët.

Nga të katër anët vërshojnë informacione, shumë shpesh kontradiktore me njëri-tjetrin, që të çorodisin. Njëri thotë që virusi nuk rri në ajër, tjetri thotë që bie në tokë. Njëri thotë që nuk rron përtokë, tjetri që rron deri në gjashtë ditë dhe të ngjitet në këpucë. Pastaj vijnë informacionet për kurat – ha hudhra, pi lëng limoni, thith ajër të nxehtë, zjej qepë.

Në Indi me miliona njerëz janë lëshuar dhe po pijnë shurrë lope sepse u rekomandua si vaksinë e sigurt. Është vërtet marramendëse, një labirinth i vështirë për t’u orientuar. E vetmja këshillë që do të jepja në këtë rast është të zgjidhni mirë burimet e informacionit, të përqëndroheni te ato burime që kanë emër të mirë dhe që janë mbajtur përherë si të bësueshme dhe t’i merrni edhe ato me një përqindje të vogël mosbesimi – domethënë të përpiqeni t’i verifikoni të dhënat e tyre me burime të tjera. Mos e humbisni kohën kot me shtypin e dorës së dytë, me tabloide sensacionale. Ato nuk kanë qënë asnjëherë të besueshme dhe nuk kanë se si të jenë as në këtë kohë, sado pas qefit të na vijnë të ashtuquajtura lajme të tyre.

Ne shqiptarët e Kanadasë kemi disa burime të cilat unë i shoh me më shumë besim se të tjerët: Kemi stacionet radiotelevizive të CBC-së dhe TVO-së, kemi gazetat Toronto Star, National Post dhe Globe and Mail (ndonjë prej tyre mund të jetë vetëm për Ontarion). Unë nuk jam tifoz i CNN apo Fox News, por kam më tepër besim te informacionet e gazetave të mëdha si Boston Globe, Chicago Tribune, LA Times, NY Times etj. Si edhe te BBC.

Me përvojën e tyre të gjatë në gazetari, me gazetarët e kualifikuar, ata kanë mundësi të intervistojnë mjekët dhe shkencëtarët më të mirë, si edhe kanë mundësi të kenë lidhje me njerëzit më të rëndësishëm në vendimmarrje.

Ndiqni lajmet dhe udhëzimet që ato japin. Verifikoni informacionin e tyre me burime të tjera.

Një tjetër burim informacioni janë këshillat e mjekëve që dalin nëpër ekrane. Kam përshtypjen se jo të gjithë mjekët i dinë mirë gjërat që kanë lidhje me COVID-19. Madje mund të thuhet se asnjë nuk i di të sakta gjërat, sepse as shkencëtarët nuk duket se kanë dhënë mendime përfundimtare në lidhje me këtë virus të panjohur. Megjithatë, ndiqini këshillat e tyre por krahasojini me informacionin tjetër. Çdo gjë e re duhet parë me një dozë dyshimi. Edhe një këshillë të fundit: Mos iu ndani humorit. E qeshura mbetet ilaçi më i mirë për të gjitha kohët dhe të gjitha sëmundjet. Uroj ta kalojmë sa më lehtë të gjithë.