Publikohet vëllimi poetik “IMORALISTI” nga Artan Gjyzel Hasani
- Published in Komunitet
Doli në qarkullim libri “IMORALISTI” i autorit shqiptaro-kanadez Artan Gjyzel Hasani, publikuar nga Botimet M&B.
Sikurse duket edhe nga titulli, poezitë e këtij libri synojnë mesazhe të kundërta me moralizimet e dyshimta të epokës në të cilën jetojmë.
Autoironia, sarkazma dhe cinizmi, mbeten edhe në këtë vëllim të ri poetik tipare dalluese të penës mjeshtërore të këtij autori.
Depërtimi me guxim në thellësi të qenies njerezore, vetes dhe tjetrit, skanon shoqërinë dhe marrëdhëniet tona me njëri tjetrin, raportet tona me të “vërtetën zyrtare” të shpirtit dhe qënies.
Dyshimi i vazhdueshëm në gjërat e sigurta është pjesë e pandarë e filozofisë artistike të Artan Gjyzel Hasanit, një ndër zërat më origjinalë të brezit të krijuesve që u afirmuan në dy dekadat e para të këtij shekulli.
Nëse do të përdornim një metaforë covidiane, poezitë e këtij libri ngjasojnë me vaksinën që, pasi e ka krijuar vetë, autori e provon te vetja para se t’ia ofrojë publikut.
“IMORALISTI” është ftesë për një rrugëtim poetik në anën tjetër të së Vërtetës, një rrugëtim i gjatë nëpër tema të nxehta që nuk durojnë veshje të tepërta të shpirtit.
Ndërkaq, në kopertinën e pasme të librit lexojmë:
“në emër të kujt do të bëhesh bir i mirësisë
cila dritë hyjnore e jotja do të arrinte të ndriçonte
gjirizet e jetës ku as dritë e diellit s’hyn dot
nuk i ke parë të mirët se si zvarriten rrugës pa fund
gjithnjë në radhë pas një maskarai që lehtësisht
arrin çdo gjë që ti nuk e fiton dot as me mund...
dhe mirëqenia e pasuria e tij veç shtohet
makutëria e tij kurrë nuk vdes...
do kalosh nëpër të gjithë rrathët e ferrit, njeri,
para se të kuptosh se ndershmëria jote
nuk është virtyt
por ves...”
©Flasshqip












