Komunitet

In Memoriam Profesor Kristian Bukuroshi - Nga Petraq Peci

  • Published in Komunitet

 Petraq Peci, ish-kryetar i SHBSHK Toronto

Në vitet e mia studentore e kisha dëgjuar shpesh emrin e tij si profesor, drejtues e themelues i Qendrës së Informatikës e Matematikës së Aplikuar në Shqipëri, por mundësia për ta njohur nga afër mu dha vetëm vite më vonë e pikërisht në Toronto.

Në vitin 2007 kur pavarësia e Kosovës dukej në prag, anëtarët e komunitetit shqiptar në mbarë Kanadanë, por sidomos në Ontario, shume të entuziazmuar nga kjo ngjarje unike për kombin shqiptar, vendosën të mblidhen e të organizohen për të festuar më pas sëbashku përpara Parlamentit të Ontarios.

Në ato ditë zyra e SHBSHK ziente nga hyrjet e daljet e përfaqësuesve të shqiptarëve nga të gjitha qytetet e provincës dhe rrethinat e Torontos. Komisioni organizator zgjodhi njëzëri për drejtues profesor Kristianin. Aty e takova fillimisht e kemi vazhduar më pas të bashkepunojmë për disa vite në shërbim të komunitetit shqiptar të Torontos.

Profesori ishte një intelektual i klasit të parë, patriot por edhe një njeri i thjeshtë e dashamirës. Ai ishte i papërtuar të ofronte ndihmesën e tij në çdo aktivitet që organizonte shoqata dhe kam shumë kujtime të bukura me të që do të mbeten në memorien time siç do të mbeten edhe kujtimet që ruajnë për të anëtarë të tjerë të komunitetit tonë që e kanë njohur e bashkëpunuar me të.

Me hidhërim e respekt të thellë, po i japim sot lamtumirën e fundit profesorit tonë të nderuar Kristian Bukuroshi, i cili kontribuoi aq shumë me punën e veprën e tij në të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve.  Keqardhja bëhet akoma më e madhe, sepse situata pandemike nuk na lejon t’i bëjmë gjithë respektin që meritonte profesor Kristiani në përcjelljen për në banesën e fundit.

Pushofsh në paqe Profesor! I paharruar do të mbetet kujtimi yt!