Kanada - Provinca Nova Scotia nderon me çmim piktorin e shquar Zeqirja Rexhepi
- Published in Komunitet
Një lajm i gëzueshëm kulturor për komunitetin shqiptaro-kanadez vjen sot nga provinca e Atlantikut Nova Scotia. Piktori i mirënjohur Zeqirja Rexhepi, ambasadori ynë i shquar i kulturës dhe artit shqiptar në Kanada, për arritjet e tij në karrierën mbi 20 vjeçare këtu, për kontributin e veçantë në integrimin e dy kulturave, të vendit të origjinës dhe vendit që e mirëpriti bujarisht në vitin 1999, është përzgjedhur për të marrë vlerësimin prestigjioz Established Artist Recognition Award për vitin 2021 nga Arts Nova Scotia dhe Creative Nova Scotia.
Arts Nova Scotia është agjencia provinciale që ofron mbështetje për artistët profesionistë, organizatat e artit dhe programet e edukimit në fushën e artit. E udhëhequr nga një bord drejtues prej 11 anëtarësh dhe e krijuar me ligj në vitin 2011, kjo agjenci është në varësi të drejpërdrejtë të Ministrit të Komuniteteve, Kulturës dhe Trashëgimisë, ndërsa Creative Nova Scotia shërben si një organ këshillimor për Ministrin në fjalë dhe vepron në mbështetje të gjallërimit të jetës kulturore të provincës.
Zeqirja Rexhepi ka lindur në Përlepnicë të Gjilanit më 1955, ai e ka kryer gjithë shkollimin e tij si artist në Shkup e Prishtinë, ku dhe u diplomua në vitin 1979 në Akademinë e Arteve, në klasën e pikturës të profesorit Tahir Emra. Para ardhjes familjarisht në Kanada në kohën e Luftës së Kosovës, në vitin 1999, Zeqirja Rexhepi i pat lënë gjurmët e punës së tij jo vetëm me tablo, por edhe me shumë piktura murale në objekte kulti dhe si tekstil dizajner.
Në Halifax ku jeton sot, Zeqirjai nuk është vetëm një piktor i afirmuar që di ta përcjellë me mjeshtëri të spikatur te publiku artin e vet, por edhe skenograf filmi në më shumë se 20 syresh. Anëtar i disa shoqatave të arteve figurative të provincës, ai është i angazhuar edhe në nivel federal ku veçohet pjesëmarrja e tij në Shoqatën e Artistëve të Forcave të Armatosura të Kanadasë dhe Muzeut Nacional, ku ai përfaqëson Nova Scotia-n.
Zeqirja Rexhepi është pjesëmarrës në shumë ekspozita, personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë Kanadasë, ndër to edhe ekspozitat e përbashkëta të piktorëve shqiptaro-kanadezë. Dy teknikat kryesore të tij janë pëlhura dhe pikturat murale. Nga këto të fundit, numërohen rreth 30 realizime madhore ku duhen përmendur “Anija me vela” e prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Halifax-it më 2000, ajo kushtuar 400 vjetorit të trashëgimisë kulturore frankofone në Nova Scotia, një pjesë origjinale e të cilës ruhet në Muzeun “Evangelina” në Louisiana të SHBA, muralja-portret kushtuar 200 vjetorit të Joseph Howe, reformator dhe lejtënant-guvernator i parë i provinces Nova Scotia, apo muralja “Making peace”, në përkujtim të veteranëve të luftës, e realizuar në qendrën e tyre memoriale.
Tre tablo të piktorit të shquar shqiptar ndodhen sot të ekspozuara si pjesë e fondit të institucionit në National Defense Head Quarters, Ottawa, ndërsa një tjetër në Muzeun e Marinës në Halifax. Suksesi profesional i Zeqirja Rexhepit ka gjetur pasqyrim të gjerë në shtypin e specializuar kanadez për artet figurative dhe kritika e ka cilësuar atë si një artist me talent të veçantë që arrin përmes koloritit abstrakt, të përcjellë mesazhe të jetës së përditshme përmes simbolikës paralele dhe metaforave. Çmimi i sapo akorduar është një vlerësim tjetër i merituar plotësisht që na bën krenar të gjithëve pa përjashtim.
Flasshqip ka komunikuar drejpërdrejt sot me artistin Zeqirja Rexhepi, i cili e ka përjetuar me emocione të veçanta lajmin e marrjes së çmimit dhe ka shprehur mirenjohjen ndaj institucioneve që e vlerësuan. “Çmimin ia dedikoj familjes që më ka përkrahur kaq shumë dhe gjithe komunitetit shqiptar në Kanada”, është shprehur ai, duke vënë gjithashtu theksin tek fakti që Kanadaja është vendi ku vlerësohet e nderohet puna dhe arritjet, pa marrë parasysh se nga cila kulturë vjen.
Urime të përzemerta Mjeshtër Zeqirja Rexhepi! Shëndet e krijimtari të suksesshme paç gjithmonë!
©Flasshqip.ca
Photo: Kelly Clark, Communications Nova Scotia