Komunitet

Toronto - Edhe flamuri shqiptar në manifestimin kundër kufizimeve shëndetësore

  • Published in Komunitet

Si në shumë qytete të tjera të Kanadasë edhe në Toronto sot është zhvilluar një manifestim qytetar proteste kundër kufizimeve shëndetësore. Mes pjesëmarrësve të shumtë, ka qenë dhe një grup i organizuar nga komunitetit shqiptar që jeton në metropolin kanadez, ku është vendosur në tri dekadat e fundit edhe shumica dërrmuese e diasporës shqiptaro-kanadeze.

Njoftimin, ndër të tjerë, e ka bërë publik shoqëruar edhe me disa foto në rrjetin social Facebook, përfaqësuesi kryesor i Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë në Kanada, Nador Bakalli, i cili bashkë me flamurin kanadez ka valëvitur në manifestim edhe flamurin shqiptar. Më poshtë postimi i Nador Bakallit:   

Kjo është Kanadaja ime!

Për dy vjet me radhë, kanadezët zbatuan çdo rregull, çdo mandat, çdo kufizim apo privim, qofshin këta të "këshilluar" apo të imponuar nga autoritetet. Në emër të shëndetit publik ne u mbyllëm dhe u vaksinuan masivisht. Unë jam një ndër ta.

Por vjen një moment dhe njeriu e kupton se ka një kufi. Çdo fillim duhet të ketë një fund. Nuk mund të ketë kufizime pa fund. Nuk mund të ketë mandate pa fund. Nuk mund të ketë vaksinim me detyrim pa fund. Liria dhe të drejtat e njeriut vijnë mbi çdo gjë.

Ky vend i begatë dhe me njëmijë e një të mira nuk meriton të njolloset nga disa paudhësi sanitare që kërkojnë të na imponohen. Kanadezët e mi nuk do ta lejojnë!

Jam sot jashtëzakonisht i nderuar dhe krenar që së bashku me një numër të madh shqiptaro-kanadezësh nga komuniteti ynë u organizuam dhe morëm pjesë në marshimin madhështor në Toronto.

Nuk e falim kollaj lirinë e zgjedhjes!

We stand on guard for Thee!