Komunitet

I ftohti kanadez dhe malli për Tiranën… - Nga Avdulla Kënaçi

  • Published in Komunitet

Para 15 vjetësh, ishte i pari dimer që kaloja në Kanada. Gjatë janarit temperaturat këtu ulen tej mase. E kishte sjellë rasti që në Shqipëri të ndodhesha në mes të dëborës, si në vitin 1985, me ekipin e Kinostudios, kur ishim në Tropojë me helikopterin e ushtrisë, me pilotin Sinan Çela. Trashësia e borës ishte 50-70 centimetra, por pas borës shkëlqente dielli dhe i ftohti nuk ndjehej shumë.

Pikërisht kur unë vura re nga dritarja e shtëpisë së tim biri se dielli shkëlqente si atë ditë në Tropojë, u thashë në familje që do dal të bej disa foto, këtu rrotull te parku ku të gjitha pemët dukeshin si mullarë të bardhë.

"Është shumë ftohtë, mos u gënje nga dielli, është minus 28 grade celcius dhe ndjehet si minus 35", më tha im bir. I thashë se kam gjithë këto veshje dimërore, ja këtë xhup të trashë, që nuk e çpon as plumbi, ja edhe këpucët me qafa, ja edhe këto dorashka lëkure që nuk i kam pasur kurrë në jetë.

"Ok, dil, por mos rri shumë", më tha duke parë këmbenguljen time. Dola, avulli që dilte nga frymëmarrja kondensohej menjëherë. U zhyta gjer në gju në borë, eca, nuk më bëri përshtypje, megjithëse hunda m'u skuq si rrepë dhe sytë më digjnin.

Peisazhi më kënaqte syrin. Shkrepa disa foto, por dorashkat më pengonin. I hoqa dhe nisa të punoj pa to. Pas dy minutash duart u skuqën dhe po më digjnin. Lëkura e tyre nisi të çahej. U ktheva menjëherë brenda shtëpisë, ku temperatura, gjatë dimrit, në mënyrë konstante, gjithmonë është plus 22 gradë.

Ata të shtëpisë qeshën me mua. "Hë, më thanë, e provove të ftohtin kanadez?" Im bir më spjegoi se pas borës, kur fryn era e Veriut, ose ajo e Arktikut, temperaturën e ul me 10 gradë celcius më shumë, si sot kur jashtë është minus 16 gradë, por ndjehet si minus 25.

Por nuk kam ndërmend të dal jashtë sot, një ditë para Shën Valentinit, kur në kodrat e Tiranës kanë çelur mimozat dhe tiranasit kthehen andej me simbolin e pranverës dhe dashurisë në duar.

Më ka marrë malli për Tiranën....

©Avdulla Kënaçi - Mississauga, Kanada 13 shkurt 2022