Komunitet

Urim në Ditën e Pavarësisë së Kosovës - Nga Esad Rexhepi, Halifax

  • Published in Komunitet

17 Shkurti është shënuar dhe do përkujtohet si data e lirisë dhe sovranitetit. Është dita kur u përmbush dëshira e zjarrtë për çlirimin nga kthetrat e okupuesve që Kosovën e shihnin si zemrën e tyre. Kjo datë është ajo për të cilën dhanë jetën e tyre dhe sakrifikuan familjet shumë njerëz të cilëve burgosjet, dhunimet, torturat, djegiet, internimet, vrasjet dhe masakrat, që ishin më të mëdhatë pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, iu ishin bërë të padurueshme dhe ata mbrojtën atdheun e tyre nga Kasapi i Ballkanit, i cili mbart përgjegjësi personale për krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë dhe vendet fqinjë.

Edhe pse shumë prej këtyre njerëzve të lapsit e të pushkës, akademikë, luftëtarë, sypatrembur, nuk arritën t'i shijonin frytet e sakrificës të misionit të tyre, ata arritën të na çlirojnë nga duart grabitqare të Milosheviçit. Këtë e dëshmon më së miri dita kur Kosova u shpall shtet i pavaur dhe demokratik.

I urojmë nga Nova Scotia popullit shqiptar të Kosovës, pasardhësve të trungut dardan, ditën e shenjtë të Pavarësisë dhe urojmë që secila sfidë gjatë rrugës për shtetndërtim të kapërcehet sa më shpejt, që të përmbushet plotësisht misioni i atyre që dhanë jetën për këtë liri.

Lavdi gjakut të dëshmorëve!

Jemi krenarë që valoi flamuri i Kosovës edhe në Halifax, Kanada!

17 Shkurt 2017