Komunitet

Ilir Kuqi nga Alberta: Si do rinisë aktiviteti i komunitetit shqiptar pas heqjes së kufizimeve

  • Published in Komunitet

Për redaksinë e Flasshqip.ca komunikimi me shoqatat shqiptare kudo në Kanada është një proces i vazhdueshëm dhe burim informacioni me shumë interes. Në vazhdën e zhvillimeve të ditëve të fundit ku në shumë provinca është vendosur heqja e kufizimeve shëndetësore dhe jeta po i rikthehet pak nga pak normalitetit, u lidhëm me një tjetër drejtues shumë aktiv të diasporës shqiptaro-kanadeze, z. Ilir Kuqi, kryetar i shoqatës së shqiptarëve që jetojnë në Calgary, provinca Alberta. Më poshtë edhe mesazhi që morëm prej tij:

Shoqata shqiptare këtu në Calgary pret me dëshirë të madhe rihapjen e mundësive për të organizuar festa dhe aktivitete. Kemi qenë pak të bllokuar këto dy vjet, sepse kushtet kanë qenë shumë të vështira. Jam i bindur që komuniteti këtu mezi po pret të mblidhemi dhe të jetojë një jetë sa më normale. 

Ne si shoqatë u kemi qëndruar rregullave, për t’iu përshtatur kufizimeve të vendosura nga qeveria.  Tashmë që kufizimet po lirohen, ne menjëherë vendosëm të organizojmë festën e gruas e cila do të mbahet më 13 Mars.  Më pas kemi synim të organizojmë një mbledhje të përgjithshme në fund të marsit, ku do të bëhen dhe zgjedhjet e reja të organeve drejtuese. 

Si aktivitete të ardhshëm kemi piketuar festën e nënës në muajin maj, një piknik në verë, turneun e futbollit dhe golfit, si dhe kemi bërë një aplikim për të marrë pjesë në paraden “Stampede”, që është një nga ngjarjet më të veçanta në Kanada, për ata që pëlqejnë sportet me kuaj.

Personalisht i kam ndjekur informacionet për protestat e zhvilluara këto javë dhe besoj që liria e shprehjes është shumë e rëndësishme, por gjithnjë duke mos krijuar probleme për të tjerët.

©Flasshqip.ca