Komunitet

Ardian Lagji: Shqiptarët në British Columbia gjithmonë një komunitet aktiv

  • Published in Komunitet

Në vijim të zhvillimeve të ditëve të fundit, ku në shumë provinca është vendosur heqja e kufizimeve shëndetësore dhe jeta po i rikthehet pak nga pak normalitetit, u lidhëm me një tjetër drejtues të spikatur të diasporës shqiptaro-kanadeze, z. Ardian Lagji, kryetar i shoqatës së shqiptarëve që jetojnë në provincën British Columbia, buzë Oqeanit Paqësor. Ja edhe mesazhi që morëm nga kreu i “Eaglesland Albanian Society of BC”:

Ju faleminderit për interesimin. Së pari desha të kujtoj që edhe pse në kushte kufizimesh, ne nuk e ndërpremë aktivitetin tonë gjatë vitit të kaluar, ku do të veçoja du takimet virtuale të suksesshme, kushtuar dy personaliteteve të shquara të komunitetit tonë, publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur Vangjush Saro dhe dirigjentit të afirmuar ndërkombëtarisht, Maestro Bujar Llapaj.

Në fillim të këtij viti, si kryesi bëmë virtualisht mbledhjen e parë, ku diskutuam për situaten pandemike dhe strategjinë në raport me organizimin në kushtet e evoluimit të saj dhe masave përkatëse, duke përcaktuar njëkohësisht dhe kalendarin vjetor për vitin 2022. Ndërkohë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës, që ishte ideatore dhe organizatore, bëmë të mundur iluminimin e ngjyrave të flamurit të Kosoves në Burrard Bridge, Vancouver City Hall dhe Bloedel Conservatory, me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë të Kosovës.

Për këtë vit kemi vendosur gjithashtu të organizojmë këto aktivitete:

1. Në bashkëpunim me Universitetin e British Columbia (UBC), ku aktualisht po përfundon studimet në nivelin master një student shqiptar, Amarildo Ceka, kemi në plan dhe presim konfirmimin për të realizuar projektin: Harta e shqiptarëve etnikë në BC, përmes një sondazhi të gjerë që ndihmon në njohjen e demografisë së komunitetit tonë. Ky do të jetë një program vullnetar mentorship për të rinjtë, në fushën e arsimit dhe punësimit, në veçanti për të sapoardhurit në British Columbia.

2. Kemi planifikuar  një mbrëmje festive me rastin e 8 marsit. Ideja është për një Kudoboard për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, drejtuar nga Suzana Vukaj dhe Eglantina Ferro.

3. Në muajin prill ose maj, parashikojmë të organizojmë një mbrëmje letrare me poetët e komunitetit: Ken Westdorp, fitues i disa çmimeve lokale letrare si dhe poeten që po afirmohet Armenida Qyqja.

4. Pikniku i verës që ështe bërë një traditë, është planifikuar në muajin korrik.

5. Festa e Flamurit në Nëntor.

6. Zgjedhjet e reja për Kryesinë e shoqatës do të organizohen sipas një programi të përgatitur nga një grup pune, me synimin për të tërhequr në kryesi më shumë gra e vajza, e sidomos nga brezi i ri.

Këto që përmenda më lart janë pak a shumë, linjat e përgjithshme të aktivitetit tonë vjetor. Gjithsesi, shumë shpejt dhe për më tepër tani që u liruan masat kufizuese, do të bëjmë një mbledhje tjetër për ta detajuar më shumë apo pasuruar kalendarin vjetor për 2022.

©Flasshqip.ca