Komunitet

Në Qershor nis aplikimi për pasaporta biometrike në Ambasadën e RSH, Ottawa

  • Published in Komunitet

Burime nga ministria e Jashtme dhe ajo Brendshme në Tiranë, bëjnë të ditur se në fillim të muajit Qershor, për të gjithë shtetasit shqiptaro-kanadezë me banim në Kanada do të bëhet i mundur aplikimi për marrjen apo rinovimin e pasaportës dhe kartës së identitetit, përmes Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Ottawa.

Ky është një lajm pozitiv për gjithë komunitetin shqiptaro-kanadez. Shërbimi sigurisht është mjaft i mirëpritur dhe do të lehtësojë shumë procedura, do të shkurtojë kohë dhe reduktojë sidomos shpenzime. Deri tani e vetmja mundësi për marrjen apo rinovimin e dokumenteve zyrtare shqiptare për ne që banojmë në Kanada ka qenë vajtja në Tiranë, ose aplikimi përmes Zyrës Konsullore të Republikës së Shqipërisë në New York të SHBA.

Ndërkohë konfirmohet plotësisht që dërgesa në drejtim të Kanadasë e materialeve përkatëse dhe aparaturave që përdoren për aplikimin për dokumentet biometrike është bërë të enjten 24 Shkurt 2022.

Nëse nuk ka ndonjë shtyrje për shkak të situatës ndërkombëtare të provokuar nga sulmi i Rusisë në Ukrainë për nisjen e ekipit të specialistëve nga Tirana që do jetë prezent për disa ditë në Ottawa (për të trajnuar personelin e ambasadës), aplikimet zyrtare parashikohet të fillojnë në muajin Qershor. Në Ottawa pritet të mbërrijë Supervizori i Departamentit të “Enrollmet Support” pranë Kompanisë “Aleat”, sëbashku me një specialist IT.

Kompania “Aleat” Sh.p.k. është një kompani që operon në Shqipëri në bazë kontrate konçesioni të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe konsorciumit Idemia Identity&Security (Francë) dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (Shqipëri) për prodhimin dhe shpërndarjen e Kartave të identitetit dhe Pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë. Kontrata e konçesionit u ratifikua me ligjin nr. 9972 datë 27.08.2008, plotësuar më vonë me dy ligje të tjera më 2013 dhe 2021.

https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1622018315ligj-2021-02-22-22.pdf

Sigurisht në ditët në vazhdim pritet që të ketë informacion më të detajuar edhe nga Ambasada e RSH në Ottawa, megjithatë çdo qytetar shqiptar me rezidencë në Kanada mund të gjejë më shumë informacion edhe në në linkun e mëposhtëm:

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9765

Deri tani ky shërbim ofrohet në këto seli diplomatike: Ambasadat e Republikës së Shqipërisë: Athinë; Romë; Londër, Bruksel, Stokholm, Berlin, Paris, Vjenë; Konsullatat e Përgjithshme: Selanik, Milano, Bari, Mynih, Stamboll; Zyra Konsullore: Nju Jork.

(Pamje nga një moment aplikimi për pasaportë në Konsullatën e RSH, Stamboll-Turqi)

Nëse çdo gjë shkon sipas programit tashmë të miratuar dhe nisur për zbatim nga muaji Prill 2022, kësaj liste do t’i shtohet Ambasada e Shqipërisë në Pekin dhe më pas në muajin Qershor, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Ottawa.

Së shpejti, shqiptaro-kanadezët do njihen dhe me tarifat e aplikimit. Referuar të dhënave zyrtare të Kompanisë “Aleat”, për shqiptarët në SHBA tarifa për rinovimin e kartës së identitetit është 18 USD ndërsa për pasaportën biometrike 240 USD.

https://www.aleat.al/al/pasaport%C3%AB-biometrike 

©Flasshqip.ca

Fotot: Aleat