Komunitet

In Memoriam Muharrem Xhaferri - Nga Peter Peci

  • Published in Komunitet

Peter Peci - Toronto

Me hidherim të madh morëm këto ditë lajmin e ndarjes nga jeta më 31 Mars 2022, të z. Muharrem Xhaferi, veprimtar i palodhur i SHBSHK Toronto ndër vite e Kryetar i saj në periudhën 2003-2008. Ai ishte një patriot që e donte Shqipërinë me zemër dhe që u përpoq gjithmonë për të mirën e saj e të bashkëkombasve të tij edhe në emigracion.

Njohja ime me Z. Xhaferri ka nisur në vitin 2007, kur unë fillova të aktivizohem pranë SHBSHK Toronto në shërbim të komunitetit shqiptar. Ajo kohë ishte një periudhë kur shqiptarët e Kanadasë u mblodhën sëbashku, si asnjëherë tjetër në përkrahje të çështjes së Kosovës e përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së saj në Shkurt 2008.

Për këte u krijua një komision i gjerë me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat shqiptare, ku pa dyshim një nga figurat kryesore drejtuese ishte dhe z. Muharrem Xhaferi. U punua me shumë përkushtim deri në realizimin e atij mitingu madhështor në qendër të Torontos, për organizimin e të cilit kontribut të madh dha z. Xhaferri dhe familja e tij.

Unë jam krenar që kam pasur nderin të bashkëpunoj me z. Xhaferri si dhe e kam konsideruar gjithashtu nder të veçantë të jem pasardhës i tij në drejtimin e SHBSHK Toronto në vitet 2008-2010.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Me respekt,

Peter Peci - Toronto