Komunitet

Intervistë me Bledi Elshanin, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Calgary, është qendra më e madhe urbane e provincës Alberta, një territor 661,848 km2, me një popullsi që i kalon 4,37 milionë banorë. Alberta konsiderohet provinca më e pasur dhe me rritjen më të lartë ekonomike në Kanada, kryesisht falë rezervave të shumta të hidrokarbureve. Në Calgary, si në të gjithë qytetet kryesorë kanadezë, jeton një komunitet shqiptar që ka filluar të vendoset atje prej më shumë se një çerek shekulli. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, mendohet që numri i shqiptarëve atje e ka kaluar shifrën 4000. Shqiptarët e Calgary-t, me prejardhje nga të gjithë territoret shqiptarë në Ballkan, prej vitesh janë të organizuar si komunitet në shoqatën e quajtur Albanian-Canadian Association of Calgary. Kjo shoqatë e drejtuar me shumë përkushtim për disa vjet nga Ilir Kuqi, para disa ditësh zhvilloi zgjedhjet e radhës për bordin drejtues prej 9 anëtarësh. Emrat që dolën nga votimi janë Bledi Elshani (kryetar), Julia Bejko (zëvendëkryetare), Mimoza Luzha Fetiu (arkëtare), Danjela Lumani Bregasi (sekretare), Arshi Kuburi, Denis Biturku, Marigona Morina, Inda Piroli dhe Ledio Alushi.

Flasshqip ftoi për një intervistë Bledi Elshanin, kryetarin e sapozgjedhur. Bledi është me origjinë nga Kosova. Ai ka lindur dhe është rritur në fshatin Pirane, në komunën e Prizrenit. Familja e Bledit aktivitet kryesor ka tregtinë. I pari që e krijoi korporatën familjare qysh para vitit 1990 ka qenë gjyshi i tij Moni, korporatë e cila edhe sot e vazhdon me sukses veprimtarinë tregtare. Në vendlidje Bledi ka kryer arsimin fillor, ndërsa më pas shkollën e mesme e ka përfundur në gjimnazin e Prizrenit “Gjon Buzuku”, drejtimi shkenca natyrore. Qysh nga fëmijëria ai e ka patur pasion futbollin dhe është stërvitur për disa vite pranë Akademisë së Futbollit të KF Liria në Prizren. Në Kanada Bledi ka imigruar në vitin 2009. Fillimisht u vendos në Ontario, ku edhe studioi për Bioteknologji në Universitetin e Windsor-it, ndërsa prej vitit 2017 punon dhe jeton në Alberta, bashkë me familjen, bashkëshorten Njomëza dhe dy fëmijët, vajzën, që quhet Koha dhe djalin, që quhet Drin. Angazhimi i tij më shoqatën e komunitetit shqiptar ka nisur prej kohësh dhe deri para zgjedhjes në detyrën e kryetarit, ai ka qënë zëvendëskryetar i saj.

Flasshqip: Bledi, si vendose të imigrosh në Kanada dhe ku i ke kaluar këto vite?

Bledi Elshani: Të qënit refugjat në vitin 1999 dhe përjetimi i luftës së Kosovës ka pasur një ndikim të madh në fëmijërinë time dhe formimin tim në përgjithësi. Gjatë asaj periudhe, bashkë me familjen, kaluam në Shqipëri dhe jetuam rreth tre muaj në Rrogozhinë. Kujtimet e asaj kohe janë një histori më vete… madje unë munda të vazhdoj dhe shkollën atje, falë një shoku nga lagja ku banoja, Arnen Sula, i cili më mori në klasën e tij. Pas luftës, në Kosovë erdhën shumë organizata amerikane dhe angleze, të cilat organizonin aktivitete për femijët dhe kjo ishte një mundësi e mirë për të mësuar anglishten. Prej asaj kohe, m’u shtua interesimi për studime në një vend anglishtfolës dhe si rezultat imigrova në Ontario për studime universitare në vitin 2009, sëbashku me shokun tim të fëmijërisë Arbër Krasniqin. Të dy kishim të njëjtat ëndrra për të ardhmen. Në Alberta erdha në vitin 2017 për arsye pune dhe vazhdoj të jetoj këtu prej atij viti, me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Para se ta mbyll përgjigjen e kësaj pyetjeje, do doja të falenderoja veçanërisht familjen për gjithë mbështetjen që më ka dhënë gjatë kohës sa isha student. Dhe andej nga vij unë, familja do të thotë nga gjysherit, prindërit e deri tek xhaxhallarët…

Flasshqip: Cili është profesioni yt dhe aktiviteti profesional që ushtron aktualisht?

Bledi Elshani: Un vij nga nje familje tregtarësh. Gjyshi im, Moni, ka qenë tregtar dhe ishte ai, që e hapi korporatën e parë në familjen tonë qysh para viteve 90-të, por mua, ndryshe nga tradita familjare, më tërhiqnin më shumë shkencat natyrore. Për këtë arsye edhe studimet universitare zgjodha t’i kryej në degën e Bioteknologjisë në Universitetin e Windsorit, në Ontario. Pas një eksperience të shkurtër në sektorin e bioteknologjisë, tani jam pjesë e stafit të kompanisë Enterprise, ku punoj si Account Executive, njÇ pozicion që merret me shitjet dhe nënshkrimin e kontratave me bizneset që operojnë ne Alberta dhe Saskatchewan…

Flasshqip: …dhe si vendose të angazhohesh me shoqatën e komunitetit shqiptar në Calgary? Cili qe motivi që të nxiti më shumë?

Bledi Elshani: Unë pata fatin e mirë që të takoj Ilir Kuqin, drejtuesin e shoqatës para meje, madje të punoj me të në të njëjtën kompani dhe mund të them se Iliri ishte nxitësi kryesor që unë të angazhohesha në shoqaten Shqiptaro-Kanadeze këtu në Calgary. Më duhet të pohoj gjithashtu, që edhe anëtarët e tjerë të Bordit drejtues kanë qenë shumë mikrpitës, të hapur dhe mbështetës, ndaj dhe dua që t’i falenderoj të gjithë me radhë, Saimirin, Tikun, Arsimin, Danjelën, Gëzimin, Mimozën dhe Mariglenin.

Flasshqip: Bledi, si do ta vlerësoje shkurtimisht punën e deritanishme të shoqatës në Calgary?

Bledi Elshani: Mendoj që është bërë një punë shume e mirë në këto vitet e fundit, për t’i afruar më shumë shqiptarët e këtushëm me njëri-tjetrin. Janë mbledhur fonde, është mbështetur shkolla shqip si dhe janë organizuar aktivitete të ndryshme. Me përjashtim të kohës së Pandemisë, kohë kur u ndërprenë dhe u kufizuan shumë aktivitete, shoqata ka qenë mjaft e organizuar, aktive dhe e suksesshme në shumë drejtime.

Flasshqip: Pas zgjedhjeve të reja, cilët janë synimet dhe projektet e afërta dhe ata më afatgjatë?

Bledi Elshani: Detyra jonë e parë si bord drejtues i sapozgjedhur është që të ruajmë dhe kultivojmë më tej atë që është arritur me përkushtim nga lidershipi paraardhës. Do të vazhdojmë të njëjtët aktivitete, por ndoshta me një energji të re. Këtë verë parashikojmë të organizojmë turneun e futbollit, turneun e golfit, e më pas në vjeshtë, do të organizojmë festimin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë të Shqipërisë. Përveç organizimit të aktiviteteve, ne do të punojmë që të rrisim numrin e anëtarëve të shoqatës si dhe do të vazhdojmë me grumbullimin e fondeve me synim përfundimtar blerjen e një objekti që do të shërbejë si “Shtëpia e shqiptarëve” në Calgary.

Flasshqip: Për aq informacion sa mund të kesh, si e vlerëson aktivitetin e shoqatave shqiptare në Kanada?

Bledi Elshani: Nuk kam shumë informacion për të gjitha shoqatat në përgjithësi, por duke u nisur nga shoqata jonë dhe nga potencialet e komunitetit tonë energjik, besoj që mund të bëhet akoma më shumë për shqiptarët në Kanada dhe ata që jetojnë në trojet shqiptare në Ballkan.

Flasshqip: …a mendon diçka më konkrete që mund të bëhet për ta rritur nivelin e bashkëpunimit mes shoqatave?

Bledi Elshani: Në verën e vitit 2014 kam qenë pjesmarrës në një protestë pranë Parlamentit të Ontarios. Protesta u organizua nga shumica e shoqatave shqiptaro-kanadeze në Ontario në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me sa më kujtohet, i derguam edhe një Notë proteste qeverisë së Maqedonisë, si shenjë pakënaqësie për trajtimin që iu bëhej qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje. Mendoj se ishte nje shembull shumë i mirë se si ne mund të bëhemi bashkë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkan. Besoj që ka dhe do ketë edhe shumë mundësi të tjera për të rritur shkallën e bashkëpunimit në të ardhmen.

Flasshqip: Si mund ta ruajmë në vazhdimësi identitetin dhe ta bëjmë më të njohur kulturën dhe traditën shqiptare te pjesa tjetër e shoqerisë kanadeze?

Bledi Elshani: Kjo nuk është pyetje e lehtë për t’iu përgjigjur, por e theksoj që edhe qëllimi i shoqatës tonë, përveç ruajtjes së identitetit, është të promovojmë kulturën dhe traditën tonë. Mendoj që brezi i lindur dhe i rritur në Kanada, duhet të afrohet më shumë me komunitetin. Duhet të gjejmë mënyra që t’i nxisim ata të jenë pjesë aktive e komunitetit dhe pse jo, të jenë ata që e përfaqësojne komunitetin tonë këtu në Kanada. Si komunitet ne kemi çfarë t’i japim Kanadase, përveç kontributit në ekonomi. Janë pak popuj në botë që janë kaq shumë të ndryshëm në besime fetare dhe që e kanë një harmoni të jashtëzakonshme, të tillë siç e kemi ne. Ne mund të jemi shembull për të gjithë botën, jo vetëm për Kanadanë në këtë aspekt.

Flasshqip: Çfarë do të thotë për ty nocioni “Kanadaja multikulturore”?

Bledi Elshani: Mendoj që Kanadaja është një shtet i mrekullueshëm për të gjithë qytetarët e saj, sidomos për imigrantët. Njerëzit vijnë nga të katër anët e botës dhe e ndërtojnë jetën këtu pa pasur nevojën që të tjetërsojnë identitetin e tyre. Kjo padyshim që është një meritë e madhe e shoqërisë kanadeze, që ka arritur me sukses të ndërtojë një shtet që sot merret si model për integrimin e të huajve.

Flasshqip: A i ndjek zhvillimet dhe politikën shqiptare në Ballkan?

Bledi Elshani: Po, mundohem që t’i ndjek në përgjithësi zhvillimet atje. Nuk i njoh në detaje zhvillimet e brendshëm politikë, por është dëshirë e madhe e imja që jeta të vazhdojë të përmirësohet për bashkëkombasit që jetojne andej. Meqë vij nga një vend ku shqiptarët dikur përndiqeshin politikisht, do të thoja që në këtë pikë jam i shumë i ndjeshëm dhe shpresoj që askush nga shqiptarët mos t’i përjetojë më ato që përjetuan gjyshërit dhe prindërit tanë. Unë mendoj që sot shqiptarët janë më të bashkuar së asnjëherë më parë, por lidershipi politik duhet të përpiqet më shumë për bashkepunimin institucional me njëri-tjetrin, si në Shqipëri, po ashtu dhe në Kosove, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pa harruar dhe Preshevën dhe Bujanocin.

©Flasshqip.ca