Komunitet

Dirigjenti Bujar Llapaj promovon sërish muzikën shqiptare në Vancouver

  • Published in Komunitet

Të shtunën 11 qershor 2022, në ora 20:00, West Coast Symphony Orchestra, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Bujar Llapaj do t’i ofrojë publikut koncertin e radhës në Christ Church Cathedral, 690 Burrard Street, Vancouver. Gjithmonë perfekt në rolin e artistit dhe ambasadorit të kulturës sonë kombëtare, Maestro do të promovojë në ketë shfaqje një tjetër vepër nga repertori i muzikës shqiptare për orkestër simfonike. I përzgjedhuri i tij këtë radhë është kompozitori dhe etnomuzikologu, akademik Vasil Tole, nga repertori i të cilit do të interpretohet për herë të parë në Kanada, vepra e krijuar më 2015, e titulluar “Iso Polyphony Multiverse”.

Promovimi i muzikës shqiptare në provincën kanadeze të British Columbia e më gjerë, falë angazhimit dhe përkushtimit të dirigjentit Bujar Llapaj, ka tani një histori që e kalon dekadën. Qysh në vitin 2010, ai vetë personalisht, sëbashku me familjen e vet dhe me mbështetjen e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Vancouver, sponsorizuan një koncert për 100 vjetorin e lindjes së Shenjtores me origjinë shqiptare, Nënë Terezës, me pjesëmarrjen e West Coast Symphony Orchestra. Atë vit në program, përveç disa veprave të repertorit klasik, u përfshinë dhe Suita e baletit “Delina” të Çesk Zadesë, “Balada” për violinë e Pjetër Gacit (interpretuar nga Lindita Musaraj) si dhe Koha e dytë e Simfonisë së Limos Dizdarit. Siç kujton vetë Maestro, pas një prove me orkestrën, në bisedë me Jim DeFina (RIP) ish-president i saj, i pat shpjeguar atij që po e bënte koncertin në nderim të Nënë Terezës, sepse ne shqiptarët nuk kemi shumë emra për t’u krenuar. Por përgjigja e tij e kish zënë ngushtë: “Jo Bujar, ju keni shumë më shumë për t’u krenuar, ju keni Zadenë, Gacin, Dizdarin, që ne po luajmë tani.”

Duhet përmendur gjithashtu që ndër të parat vepra shqiptare luajtur në Vancouver janë Koha e tretë e Koncertit për violinë të Pjetër Gacit, intepretuar nga Jonathan Hao (nxënës i prof. Lindita Musaraj) kur ishte vetëm 8 vjeç, i cili më pas ka interpretuar dhe Baladën e të njëjtit kompozitor. Lista sa vjen e bëhet e gjatë: Vallja No 2 e Thoma Gaqit, luajtur nga orkestra e të rinjve të Surrey si dhe Koha e dytë e Koncertit për orkestër harqesh; Sonata për violinë e Çesk Zadesë (interpretuar nga Lindita Musaraj, nga Rita Attrot e më pas nga nxënësja shqiptare, lindur në Kanada, Arta Jolldashi). Nga West Coast Symphony Orchestra janë luajtur për publikun kanadez dhe shqiptar Çesk Zadeja Simfonia No 1, Suita nga “Vajzat e qytetit të gurtë”, Suita nga “Skënderbeu”, Suita “Mrika” për harqe e Gjon Simonit, “Këngë e lashtë” nga Albert Paparisto (në oboe Victoria Grey), përshtatur për orkestër harqesh nga Bujar Llapaj, uvertura Goca e Kaçanikut dhe Rondoja për violonçel e Rauf Dhomit, një duo koncertante për klarinetë, trombon dhe orkestër nga Kreshnik Aliçkaj si dhe Variacionet për korno dhe harqe e një numër arranxhimesh për kuintet instrumentash tunxhi nga Isak Shehu.

Veprën e përzgjedhur nga Vaso Tole për koncertin e 11 qershorit në Vancouver, Meastro e vlerëson si një vepër të mirë, punuar me kujdes dhe profesionalizëm, ku ndërthuren motivet e kabasë. Një ndërthurje harmonike, ritmike dhe orkestrale moderne, por që dallohet qartë që është shqiptare. Dhe jo aq e thjeshtë për t’u luajtur, sipas tij, duke patur parasysh karakterin rubato të veprës dhe kujdesin e duhur për të mos rënë në një interpretim mekanik apo të njëtrajtshëm.

Një figure dominuese në muziken klasike në Ballkan, Maestro Bujar Llapaj ka qenë Drejtori Artistik i Teatrit Shqiptar të Operas dhe Baletit. Ai është themeluesi, dirigjenti dhe Drejtori Artistik i Orkestrës së Re Filarmonike. Gjithashtu, Maestro ka qene drejtues i Departamentit të Kantos dhe Dirigjimit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Bujar Llapaj ka dirigjuar koncerte në Paris, Romë, Athinë, Israel, Prishtinë, Shkup, etj. Në vitin 2007 ai u zgjodh Dirigjenti Kryesor i West Coast Symphony Orchestra në Vancouver, ndërsa në vitin 2021 u emërua edhe Drejtor i Muzikes dhe Dirigjent i Ambleside Orchestra në North Vancouver, me të cilën para disa ditësh (27 maj 2022) dirigjoi ndër të tjera dhe Simfoninë No 5 të Ludvig van Beethoven. Kujtojmë që këtë vit Maestro do të jetë i ftuar në Londër për dy koncerte dhe do të drejtojë Hertfordshire Chamber Orchestra, pikërisht në datat 10 dhe 11 shtator.

©Flasshqip.ca