Komunitet

Urim shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro në 70 vjetorin e lindjes

  • Published in Komunitet

Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Vangjush Saro, një emër i respektuar dhe një krijues i shquar i Diasporës shqiptaro-kanadeze i cili prej vitesh jeton në Vancouver (provinca kanadeze e British Columbia), ka festuar këto ditë 70-vjetorin e lindjes.

Vangjush Saro ka lindur në Korçë. Në qytetin e lindjes ai mbaroi gjimnazin “Raqi Qirixhi”, kurse studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës; në 1985 edhe studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve dhe Kinostudio. Ka punuar mësues dhe gazetar. Është Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin “Naim Frashëri” klasi III dhe Çmimin e Karrierës dhënë nga gazeta “Telegraf”; ka fituar gjithashtu çmime kombëtare për vëllimin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe novelën “Polic Këmbëvogli”.

Saro ka shkruar tregime, novela, romane, skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë, kritikë letrare, si dhe publicistikë. “Shqipëria në dy kohë” ishte libri i tij më i fundit në këtë zhanër, botuar këto ditë. Nga krijimtaria artistike mund të veçohen: librat me tregime e novelat “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit” e “Një ditë pa mamin”, romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe librat me fabula “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” dhe “E dashur Dhelpër!”

Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja: L’Âne et le Chevreuil (“Gomari dhe Kaprolli”), Dear Fox! (“E dashur Dhelpër!”), The Boy who became a Balloon (“Djali që u bë tullumbace”), etj.

Krijimtaria e tij me vlera të larta e të spikatura artistike ka vazhdimisht vëmendjen e publikut dhe të mendimit letrar. Publicistika e tij shquhet veçanërisht për origjinalitetin e këndvështrimeve dhe kurajon për ta thënë të vërtetën pa doreza, për mprehtësinë dhe thellësinë e analizës, kujdesin dhe respektin për gjuhën shqipe, objektivitetin dhe pavarësinë e mendimit, për ndjenjën e atdhedashurisë.

FlasShqip, duke i shprehur mirenjohjen dhe vlerësimin për kontributin e çmuar që ka dhënë e jep në platformën tonë, për komunitetin shqiptaro-kanadez dhe kulturën e letrat shqipe në tërësi, i uron Vangjush Saros, shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe krijimtari të begatë!

©Flasshqip.ca