Komunitet

Nder dhe privilegj që i shërbeva Kosovës në Toronto - Intervistë me diplomatin Donat Syla

  • Published in Komunitet

Më 16 mars 2018, Flasshqip pat publikuar lajmin për hapjen për herë të parë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto. Njëkohësisht atë ditë u bë publik dhe emri i Donat Sylës, i cili për katër vjet do të ushtronte funksionin e Konsullit të Përgjithshëm të shtetit të tij në metropolin kanadez.

Z. Syla ka lindur dhe është rritur në Prishtinë, në një familje intelektuale. Babai i tij i ndjerë, Sylejman Syla, ka qenë kritik letrar e publicist, autor i disa veprave dhe kryeredaktor i revistave kulturore-shkencore “Fjala” dhe “Shkëndija”. Donat Syla ka kryer studimet Master në Shkencat Sociale pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe përpara se të emërohej në Kanada, pat qenë ligjërues i gazetarisë së televizionit në Universitetin e Prishtinës, por edhe autor e drejtues emisionesh (“Target”), si dhe për një kohë drejtor informacioni i televizionit publik RTK. Z. Syla është i martuar me Vlora Rrustemi Syla, gazetare dhe ish-moderatore e lajmeve në RTK si dhe ish-korrespondente e rrjetit CNN International për Kosovën gjatë periudhës pas shpalljes së pavarësisë. Ata janë prindër të dy fëmijëve, Jalit dhe Arias.

Në mbyllje të mandatit si Konsull i Përgjithshëm dhe para kthimit në atdhe, Flasshqip e ftoi për një intervistë gazetarin dhe diplomatin Donat Syla, i cili falë punës dhe personalitetit të tij, fitoi respektin e gjithë komunitetit shqiptar në Toronto dhe jo vetëm, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Flasshqip: Z. Donat, në përfundim të mandatit diplomatik në Toronto, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet shtetërore aktuale mes Kosovës dhe Kanadasë?

Donat Syla: Marrëdhëniet shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë janë të shkëlqyera dhe raportet e bashkëpunimit po shtohen dita ditës. Kujtoj që Republika e Kosovës është një shtet me histori të re institucionale. Siç e dimë të gjithë, kanë kaluar 14 vjet që nga shpallja e pavarësisë së saj, jemi të njohur nga mbi 100 shtete dhe kujtoj që Kanadaja është ndër të parët shtete që e njohën Kosovën. Gjatë kësaj periudhe, Kosova i ka intensifikuar raportet me shtetin mik kanadez dhe prej 4 vitesh ka hapur Konsullatën e saj të Përgjithshme në Toronto, metropolin e vendit, konsullatë që unë pata fatin të jem i pari ta drejtoj.

Flasshqip: Çfarë mund të thuhet më konkretisht për rolin e Konsullatës gjatë kësaj periudhe?

Donat Syla: Konsullata ka shërbyer së pari për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në shumë fusha të interesit të ndërsjelltë. Kemi organizuar ndër vite një mori aktivitetesh ekonomike, të cilët kanë prodhuar dhe rezultate konkrete. Gjatë vitit 2019, në kuadër të panairit PDAC, Konsullata organizoi një aktivitet në bashkëpunim me Canada Trade Link, me ç'rast arritëm të nxisim 20 biznese kanadeze të shprehin dëshiren që të vrojtojnë përshtatshmërinë e kushteve për investime në vendin tonë. Një aspekt tjetër që do ta vija në dukje, janë takimet që Konsullata u ka mundësuar ministrave dhe vartësve të tyre të sektorëve përkatës të Kosovës, me kompani që shfrytëzojnë minierat kanadeze dhe që për nga reputacioni janë në renditjet më të larta në botë për nga cilësia dhe sasia e prodhimtarisë, për arsye të ekspertizës dhe profesionalizmit të tyre. Dy prej ketyre kompanive (Avrupa dhe Trevali) janë tashmë prezente në Kosovë. Mund të shtoj gjithashtu që edhe në fushën e industrisë ushqimore raportet mes dy vendeve tona janë intensifikuar. Ndërkohë, mund të rikonfirmoj dhe gatishmërinë e Odës Ekonomike të Ontarios për të lidhur marrëveshje bashkepunimi me Odën Ekonomike të Kosovës. Konsullata e disponon draft-dokumentin të cilin ia ka paraqitur edhe Odës Ekonomike në Prishtinë. Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, finalizimi u shty, por tashmë pritet ardhja e delegacionit nga Kosova për t'i dhënë jetë përfundimisht kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi. Kësisoj, falë saj në të ardhmen, raportet ndërmjet dy vendeve tona në fushën ekonomike do të intensifikohen akoma edhe më shumë.

Flasshqip: Si e konsideroni eksperiencën e fituar në diplomaci dhe jo vetëm, në mbyllje të këtij mandati?

Donat Syla: Pa hezitim mund të them se ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e vlefshme për mua. Besimi që të jep shteti yt, për ta përfaqësuar dhe për të ndërtuar nje institucion të tij jashtë territorit, është nder dhe përgjegjësi shumë e lartë, e njëherazi detyrim moral shumë i lartë. Përpos përgjëgjësi dhe sfidë, në planin personal për mua ishte një privilegj të krijoja bazat e një misioni diplomatik si Konsullata e Përgjithshme në metropolin e Kanadasë, institucion që do të zhvillohet edhe më tej në dekadat e ardhshme, krahas fuqizimit të shtetit tonë, krahas rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar kësisoj në vazhdimësi edhe asistencë për qytetarët e Republikës së Kosovës këtu në Toronto.

Flasshqip: Cilat janë arritjet kryesore të realizuara në mandatin tuaj dhe cili aktivitet ju ka dhënë më shumë kënaqësi?

Donat Syla: Edhe pse kemi pasur mjaft pengesa për organizimin e aktiviteteve për rreth dy vjet (pra gjysmën e mandatit) për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë, mund të them se ia kemi dalë si staf të përmbushim shumicën e objektivave. Lista e arritjeve, mund ta pohoj pa modesti, është mjaft e gjatë, por do të veçoja aktivitetet e fushës ekonomike, të cilët i permenda edhe më lart, që kanë prodhuar rezultate konkrete. Po kështu, një segment me peshë i diplomacisë publike të Konsullatës që kam drejtuar, ka qenë promovimi i kulturës, traditës dhe historise sonë, që sipas mendimit tim, kanë nevojë që të promovohen akoma edhe më shumë, jo vetem nga Kosova, por edhe nga Shqipëria. Miqtë tanë duhet të njihen më mirë me historinë tonë, të vërtetën tonë, kulturën tonë, gjuhën tonë dhe shpirtin e kombit shqiptar. Të mos harrojmë që gjatë historisë tonë, nuk i kemi lënduar popujt e tjerë, por kemi vuajtur shumë për të mbrojtur identitetin tonë autentik evropian. Këtë duhet t’ua ripërsërisim edhe shumë miqve tanë, duke forcuar më tej lidhjet me ta, e duke i nxitur ata të flasin për ne. Ata që e kuptojnë të vërtetën tonë edhe flasin për të vërtetën tonë. Kjo qasje e valorizon edhe më shumë peshën e historisë tonë dhe marrjen e vendit të merituar në mesin e kombeve evropiane. Këtë gjë jemi përpjekur ta arrijmë përmes diplomacisë kulturore. Kujtoj se aktivitetet tona, përmes zërit të miqve tanë janë pasqyruar në mediat kryesore kanadeze si Toronto Star, që është gazeta me e madhe në Kanada, paçka se jemi një konsullatë e vogël e një vendi të vogël. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe kam marrë edhe dy letra urimesh nga kryeministri kanadez Justin Trudeau si dhe shumë personalitete me peshë të jetës publike e politike kanadeze. Kujtoj gjithashtu, që zëri i heroinës sonë, Vasfije Krasniqi Goodman, një viktimë e dhunës së regjimit kriminal të Serbisë, u dëgjua edhe në Parlamentin e Ontarios.

Flasshqip: Si e vlerësoni Toronton dhe shoqërinë kanadeze në përgjithësi?

Donat Syla: Për mua Toronto është qyteti më mbresëlënës në botë. Këtë përshtypje para së gjithash e kam krijuar nga njerëzit e këtij qyteti, nga kultura, edukata dhe organizimi i tyre, e nga të gjitha këto besoj se kam mësuar shumë edhe personalisht. Vlerësoj në masë të madhe kujdesin e kanadezëve ndaj natyrës, gjelbërimit, sikurse edhe varietetet e ushqimeve të shëndetshme që ata konsumojnë në tryezat e tyre.

Flasshqip: Një pjesë e aktivitetit tuaj ka qenë marrëdhënia dhe bashkëpunimi me komunitetit shqiptar… Cilat janë mbresat dhe si do e përshkruanit komunitetin shqiptaro-kanadez?

Donat Syla: Raportet e mia dhe të zyrës sonë konsullore me komunitetin tonë në Toronto e Ontario kanë qenë të shkëlqyera. U mbetem mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në forma të ndryshme për fuqizimin e komunitetit tonë këtu, qoftë përmes bashkëpunimit me ne, apo edhe me iniciativa vetanake. Gjykoj se në të ardhmen kjo rrugë duhet të vazhdojë, duke përkrahur iniciativat e njëri-tjetrit, si dhe duke krijuar miqësi të reja, apo duke forcuar më tej lidhjet me komunitete me influencë, nga eksperienca dhe mbështetja e të cilëve mund të përfitojmë në shumë aspekte.

Flasshqip: … dhe cilët janë projektet personale për të ardhmen?

Donat Syla: Kam disa oferta në tavolinë, por nuk mund të them më shumë tani për tani... Gjithsesi ato kanë të bëjnë me angazhime të ngjashme me ato që kam patur deri tani në karrierën time.

Flasshqip: Z. Donat, ju përgëzojmë për mbylljen me sukses të mandatit, ju falenderojmë për bashkëpunimin e hapur dhe miqësor gjatë këtyre viteve, për kohën që gjetët për këtë bashkëbisedim dhe njëkohësisht ju urojmë suksese të mëtejshme ju dhe gjithë familjes tuaj!

©Flasshqip.ca