Komunitet

Artistët shqiptarë në metropolet e botës - Nga Vangjush Saro

  • Published in Komunitet

 Vangjush Saro

 

Vankuver, koncert i West Coast Symphony Orchestra nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Bujar Llapaj

Një mbrëmje e këndshme në Vankuverin gjithë shkëlqim. Performim interesant i West Coast Symphony Orchestra. Uverturë nga opera “Taras Bulba” e kompozitorit ukrainas Mykola Lysenko; një pjesë interesante nga kompozitorja kanadeze Jocelyn Morlok; një triptik muzikor nga Jim Hopson, luajtur nga vetë ai në Alphorn (bori e madhe, instrument që është karakteristik për Zvicrën) dhe Rapsodia Rumune nr. 1 nga kompozitori rumun George Enescu.

I veçantë interpretimi i Isos Polifonike të muzikantit dhe studjuesit shqiptar Vasil S. Tole; një zhanër i njohur në botë, tashmë pasuri e Trashëgimisë Kulturore nën kujdesin e UNESCO-s. Pjesa në fjalë erdhi mjaft bindshëm, duke të çuar në meditim, duke të kujtuar natyrën shqiptare, pse jo edhe fragmente dramatike nga historia jonë.

Koncerti u ndoq nga një numër i lartë artdashësish dhe u përcoll gjithë kohës me duartrokitje dhe thirrje inspiruese.

Krejt e veçantë loja e dirigjentit Bujar Llapaj, tashmë një emër i njohur në shumë vende ku ai ka drejtuar orkestra simfonike: Tiranë Prishtinë, Romë, Vankuver, Nju Jork. Si në çdo shfaqje të tij, muzikanti i madh ia fitoi zemrën publikut me dirigjimin dhe me sjelljen ekselente.

Megjithë larminë dhe tensionin e veprave të reja, ai performoi plot gjallëri e siguri, ishte si gjithnjë në një ditë ndër më të mirat, në ritme, gjeste, inkurajim, buzëqeshje, grintë, duke treguar aftësitë e tij profesionale në dirigjim dhe në gjithë lojën e spektaklin, promotor i të cilit ishte, duke përcjellë kështu në publik dashurinë për muzikën, temperamentin e vendit nga vjen, forcën shprehëse dhe përtej të gjithave, vlera të larta njerëzore.

Është një kënaqësi të shikosh artistët shqiptarë në metropolet e Botës. Përveç të tjerave, sado që të plotësuar tani me kulturën dhe qytetarinë e vendit ku jetojnë aktualisht, ata flasin për ne, nga vijmë, ç’kulturë kemi, me çfarë i shfaqemi botës së madhe. Faleminderit, Bujar Llapaj!

©Vangjush Saro