Komunitet

A ke ndonjë plan? - Nga Ardian Radovicka

  • Published in Komunitet

Pas 30 vite pune, gjysma andej dhe gjysma këtej oqeanit, është koha e përshtatshme për të mbyllur një kapitull dhe për të hapur një tjetër. Gjithmonë më kanë pëlqyer futbollistët që e mbyllin karrierën në një moshë të caktuar dhe janë akoma në formë. E njëjta gjë mendoj se vlen dhe për të punësuarit kur largohen në kohën e përshtatshme për ta. Të gjithë u çuditëm para një viti kur drejtori i sektorit tonë doli në pension. Ai ishte plot energji dhe plane për të ardhmen. Ka të tjerë që megjithëse e kanë mbushur moshën, thjesht vegjetojnë dhe nuk kanë ndërmend të largohen dhe t’i lënë stafetën të rinjve.

Para një muaji plotësova dokumentet për pension të parakohshëm nga Bashkia e Torontos. Po transferoj projektet dhe procedurat tek kolegët. Kam kaluar kohë vërtet cilësore me ta dhe e di që do më mungojnë. Do më mungojë kafja e mëngjesit me Ashish, Jarek, Daniel, Gilda dhe Simona. Po kështu shëtitjet në qendër të qytetit dhe shakatë pa fund në pushimin e drekës me Jarek, Ashish, Jin, Kishan, Nisha, Gil, Brama dhe Daniel. Do më mungojë loja e përvitshme e golfit me Daniel, Bernardo dhe sidomos konkurrenca me shokun tim, polakun Jarek.

Shumë kolegë kalojnë tek vendi im i punës te martave dhe të enjteve, kur unë jam në zyrë dhe bisedojnë me mua. Ndër të tjera bën përshtypje pyetja e tyre magjike: “A ke ndonje plan?” Kjo më kujton kohët e para, kur sapo kisha filluar punën dhe më pyesnin në ashensor të premten pasdite: “A ke ndonjë plan për fundjavën?” Mua më bënte përshtypje kjo pyetje, se më dukej kuriozitet i tepruar, sidomos kur bëhej jo nga kolegë, por thjesht nga punonjës të kateve të tjerë te Metro Hall. Më vonë e kuptova se është një mënyrë për të thyer heshtjen dhe për të transmetuar pozitivitet me plane për vizita në vende të veçanta.

Edhe tani ata kanë dëshirë të mësojnë më shumë për planet e mia për kapitullin tjetër të jetës time. Une buzëqesh dhe thjesht i pergjigjem interesit të tyre duke përshkruar pasionin për pikturën dhe dëshirën për t’i dedikuar më shumë kohë asaj. Ata e dinë atë, por thjesht pyesin ose për të ditur më shumë, ose se për ta nuk ka kuptim të dalësh në pension pa një plan. Të gjithë në bëjmë plane në jete. Kjo është gjë e mirë, por shpesh harrojmë që këto plane varen nga tjetërkush, që duhet të firmosë…

©Ardian Radovicka