Komunitet

Teuta Guci, një grua e vendosur për të arritur suksese të mëdha

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Një ditë, në Toronto, më doli para syve diku në kryqëzimin e rrugëve Donlands Avenue me O’Connor Drive, një tabelë gjigante në majë të një ndërtese, e cila shfaqte portretin e një gruaje të qeshur me një emër mbretëreshe.

Teuta Guci - lexova unë me zë të lartë, me atë gëzimin që emigrantët kanë kur dallojnë bashkëatdhetarët e tyre. Që në atë çast dëshirova të dija më shumë për Teutën por mediat kanadeze dukeshin se ishin më të shkathëta se mua. Shumë kanale televizive e kanë shqiptaren Teuta Guci pikë referimi sa i përket zhvillimeve të tregut të Real Estate në Toronto. Po si arriti kjo shqiptare të jetë në Kanada një nga emrat më të suksesshëm në tregun e pasurive të patundshme?

Kush është Teuta Guci me pak fjalë?

Teuta tregon se është rritur nga prindër punëtorë, kërkues dhe inteligjentë. Ka mbaruar shkollën e mesme Tregtare në Vlorë dhe Universitetin e Tiranës në degën Ekonomi me rezultate të shkëlqyera. Meqënëse nuk iu dha mundësia të punonte aty ku meritonte vendosi të largohet nga Shqipëria. Sot është një nga gratë e suksesshme shqiptare në Toronto që ka krijuar kompaninë e saj të shit-blerjeve të pasurive të patundshme iPro Realty Ltd., Brokerage, duke u renditur në klasifikimet profesionale në 50 profesionistët më të zëshëm në Toronto dhe numri 1 në rajonin e East York.  

J.D: Teuta, u largove nga vendi sapo kuptove që mundësitë ishin të kufizuara. Si është historia jote e ardhjes në Kanada?

T.G: Rruga e emigrimit tim filloi nga Greqia. Në atë kohë kisha një vullnet të jashtëzakonshëm. Mendo pak, kam kaluar dy herë në këmbë kufirin, dhe herën e dytë isha 6-muajshe shtatëzënë. Shumë shpejt kuptova se Greqia nuk ishte vend i përshtatshëm për të arritur synimet e mia. Isha një njeri me kërkesa të larta ndaj vetes. Kështu që ia futa kërkimeve se ku mund të ndërtoja një jetë më të mirë. Dhe zbulova që Kanadaja ishte vendi perfekt për t’u zhvilluar, vendi i mundësive dhe politikave më të mira të emigracionit. Në Janar të vitit 2002 mbërrita në Toronto. Si shumica e shqiptarëve që kanë ardhur në Kanada nga Greqia, dokumentet e mia pasqyruan atë realitet.  

J.D: Si i përjetove ndryshimet që shoqëruan jetën tënde si emigrante tashmë në Kanada?   

T.G: Për mua gjithçka lidhet me motivimin e njeriut. Unë jam një njeri me shpirt luftarak, që cakton objektiva, merr vendime dhe punon për realizimin e tyre me gjithë forcë. Kështu që më beso kur them se përshtatja me realitetin kanadez ishte e lehtë për mua, edhe kur më refuzonin aplikimet për punë. Ja për shembull, aplikoja për pozicione pune në banka dhe administrata dhe kudo më kthenin përgjigje negative, pasi më konsideronin të mbikualifikuar për atë pozicion.  

J.D: Përgjigjet negative janë dekurajuese shpeshherë. Duke të njohur ty e marr me mend që nuk të kanë ndikuar negativisht, përkundrazi. Më thuaj çfarë bëre pasi aplikimet t’u refuzuan?

T.G: Normalisht refuzimet më nxitën të kërkoj zgjidhje. Njeriu ka forca të jashtëzakonshme të përballojë situata edhe kur ato duken si pa rrugëdalje. Unë gjeta zgjidhje duke përdorur aftësitë e mia praktike. Nisa të pastroja, të lyeja shtëpi dhe punoja përtej orareve normale. Me kalimin e kohës fillova të bëja riparime e ndërtime shtëpish dhe pikërisht në këtë fushë gjeta talentin dhe pasionin tim. Kreva studimet për Real Estate dhe iu dedikova investimeve në pasuritë e patundshme. Klientët e lumtur prej shërbimeve të mia po më shtoheshin dita ditës. 

J.D: Nuk është e lëhtë të dalësh në sipërfaqe në këtë biznes. Si ia dole të lësh pas të tjerët dhe të kthehesh në një pikë referimi edhe për mediat në Ontario?

T.G: Vërtet që nuk ishte e lehtë të mbizotëroja në Toronto dhe të arrija të renditesha tek 50 më të mirët e 65 mijë profesionistëve të Real Estate, shumë prej të vilëve janë në këtë biznes prej mbi 20-40 vjetësh. Aq më tepër kur je emigrante dhe flet një gjuhë me aksent. Kam ndjerë paragjykime prej tyre, sidomos në momentet e para kur përshtypja krijohet nga pamja e jashtme. Unë, një grua me trup të imët nuk ua mbushja mendjen mesa duket, por më pas pasi komunikonin arrinin të dallonin forcën time të brendshme që më dallonte nga agjentët e tjerë.

J.D: Ke dështuar ndonjëherë?

T.G: Kam dështuar shumë herë, por sa herë që dështoja, më kapte ajo ndjenja e inatit të dështimit e cila më motivonte të çohesha sërish. Vullneti për sukses më shtynte përpara. E kisha parashikuar dështimin, pasi hyra në një biznes me ujqër të vjetër, metaforë që përdornim dikur në Shqipëri. 

J.D: Prej postimeve të tua në instagram dhe FB kam vënë re që realizon në kohë rekord shitje. Kështu ka qenë që në fillim?

T.G: Unë e kam filluar punën duke shitur shtëpinë e parë me komision 0% dhe meqënëse shitja doli me shumë sukses, m’u rrit klientela. Dëshmitë e klientëve të mi, janë prova më e mirë e suksesit tim. Ndërkohë sipas përllogaritjeve që bëhen bazuar në variable të ndryshëm të suksesit në profesionin tim, jam renditur e para në rajonin e East York. Shkurt, kam arritur aty ku kam ëndërruar të jem. 

J.D: Duket qartë që je një grua me personalitet, e vendosur për të ecur përpara. Më thuaj pak, cilët janë përbërësit e tjerë të recetës së suksesit që i nevojiten një gruaje të bëjë karrierë?

T.G: Suksesi ndërtohet mbi themelet e vetëbesimit dhe energjisë. Më pas, si një shtëpi që ka nevojë për strukturë e dekorime, i shtohen kolona të forta mbajtëse që janë mendje me vizion dhe forca të brendshme. Duhet patjetër një zemër e mirë dhe qëndrime pozitive, por edhe qëllime e motivim për t’i realizuar ato. Por duhet edhe luftuar për të drejtat e për t’i mbrojtur ato në çdo rast kur rrezikohen të shkelen.

J.D: Më përshkruaj pak çfarë kënaqësie të jep suksesi ?

T.G : Suksesi im përkthehet në lumturinë që ndjej kur shoh dy fëmijët e mi të edukuar me parimet më të mira njerëzore, për të cilët shpresoj të ndjekin rrugën e prindërve, në kënaqësinë që marr nga jeta e bukur që bëj. Gjithashtu, kënaqësi e veçantë është kur përkatësia ime etnike shoqërohet me suksesin tim në sytë e kanadezëve, duke krijuar ato stereotipet pozitive në këto raste që shqiptarët janë punëtorë, inteligjentë, të vendosur për të arritur suksese pavarësisht vështirësive që u dalin përpara. Njerëzit që më rrethojnë, shqiptarë e kanadezë, ma mbushin zemrën plot, duke më dhënë respekt dhe vlerësim për punën dhe përpjekjet e mia për të ndihmuar të tjerët sipas mundësive që kam. Të gjitha këto bashkë shkojnë përtej kënaqësisë.


J.D : Vihet re se në emigracion njerëzit zhvillojnë pasione të fjetura të dikurshme, dikush i hyn pikturës, një tjetër poezisë. Tek ty është zgjuar ndonjë talent i dikurshëm ose ka lindur ndonjë i ri?

T.G: Të them të drejtën kam patur talent në matematikë dhe kam qenë shumë perfeksioniste dhe e dhënë pas detajeve. Këto më kanë ndihmuar në punën që bëj. Nëse të bërit biznes mund ta quajmë art, atëherë mund të them se kam eksploruar talentin në fushën e biznesit dhe duket se qenkam e talentuar.

J.D: Çfarë kujton nga Shqipëria e së kaluarës dhe si e sheh atë të sotmen?

T.G: Përkëdheljet e prindërve dhe lojërat dhe të qeshurat me vëllezërit janë momentet që vijnë në mendjen time për të më ngjallur nostalgji për të kaluarën. Por janë edhe ato kujtime të hidhura të padrejtësive që sistemi diktatorial i bëri prindërve të mi dhe familjes sime. Sa për Shqipërinë aktuale nuk mund të komentoj se u bënë 25 vjet që jam larguar dhe po nuk e jetove gjendjen nuk mund ta gjykosh.


J.D: Po e drejtë, tani në fund më thuaj pak si të të gjejnë të interesuarit për të blerë e shitur prona në Toronto?

T.G: Nëse dëshironi të dini më shumë për biznesin dhe tregun e pronave në Toronto më ndiqni në Instagram @teutagucirealtor dhe mos hezitoni të kontaktoni nëpërmjet mesazheve për ndonjë ndihmë që ju nevojitet. Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithëve. Faleminderit!  

 

©Flasshqip.ca