Komunitet

Arbër Puci, inxhinieri shqiptar kandidat për Këshillin bashkiak të Torontos

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Pas 17 ditësh në Ontario do zhvillohen zgjedhjet lokale dhe ato për bordet shkollore. Sipas Good Government Act 2009 të provincës më të madhe kanadeze për nga popullsia, zgjedhjet lokale aty zhvillohen një herë në katër vjet, të hënën e katërt të muajit tetor. Më parë frekuenca e ketyre zgjedhjeve ka qenë tre vjeçare.

Pushtetet lokale në Kanada, sigurisht edhe në varësi të madhësisë së bashkive, apo specifikave provinciale, janë kryesisht përgjegjës për infrastrukturën rrugore, transportin publik, kujdesin ndaj fëmijëve, policimin lokal, ujësjellësat dhe kanalizimet, urbanistikën, parqet, infrastrukturën rekreative, mbështetjen e veprimtarive artistike dhe promovimin e biznesit etj. E veçanta e këtyre viteve të fundit është se bashkitë kanadeze po angazhohen gjithnje e më shumë edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Bashkia Toronto

Pra të hënën 24 tetor (nga ora 10:00 deri në 20:00) do zhvillohen edhe zgjedhjet për 25 këshilltarët dhe kryetarin e bashkisë në Toronto, metropolin kanadez me më shumë se 2,8 milionë banorë dhe me rreth 1,89 milion zgjedhës të regjistruar. Ndryshe nga Montréal, ku kandidatët për këshillin dhe ata për kryetar, zakonisht janë të organizuar në parti lokale, në Toronto kandidimi i gjithësecilit është individual. Kësisoj, të zgjedhurit përfaqësojnë vetëm qytetarët dhe përgjigjen vetëm para tyre. Bashkia e Torontos u ka dhënë mundësinë zgjedhësve që përveç datës 24, të votojnë në mënyrë të përshpejtuar edhe prej sot, 7 tetor dhe të premten e ardhshme 14 tetor, nga ora 10:00 deri më 19:00.

Salla e Këshillit bashkiak Toronto

Sipas faqes zyrtare Web të Bashkisë Toronto, në garën për kryetar bashkie janë gjithsej 31 kandidatë zyrtarë të regjistruar. Megjithatë favorit mbetet kryetari aktual i Bashkisë, John Tory, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2014 dhe që kandidon për herë të tretë. Sipas burimeve mediatike, kandidati me profilin më të lartë pas John Tory, konsiderohet urbanisti i njohur Gil Penalosa. Gjithashtu në 25 zonat zgjedhore të Torontos sivjet kandidojnë për këshilltarë të bashkisë 162 qytetarë të origjinave të ndryshme.

Për ne si shqiptarë, zgjedhjet e sivjetme kanë të veçantë faktin se, në zonën elektorale Nr. 10 (Spadina-Fort York) të Torontos, kandidon edhe një shqiptaro-kanadez, pjesë e komunitetit tonë në metropol, që eshtë edhe komuniteti me i madh në rang Kanadaje. Ai quhet Arbër Puci, i diplomuar Master of Electrical Engineering pranë Metropolitan University (ish Ryerson University) me mbi 15 vjet eksperiencë në projekte infrastrukture në Ontario. Arbër Puci është i katërti shqiptar që kandidon në nivel bashkie në Toronto, pas Eno Locit më 2014 dhe Artur Langut e Chris Budos më 2018. Kujtojmë me ketë rast edhe kandidimin vitin e kaluar në Montréal të Anila Erindit dhe Kadri Sherifit.

Arbër Puci ka lindur në Tiranë dhe është rritur në zonën e “Shallvareve”, ku ka ndjekur mësimet në shkollën “Dora d’Istria” (dikur 20-vjetori). Më pas, në moshën 13 vjeçare imigroi në Kanada bashkë me prindërit dhe prej atij momenti e gjithë familja u vendos në Toronto. Bashkë me shumë fëmijë të tjerë shqiptarë, që sot janë profesionistë të zotë në fusha të ndryshme, ai ka jetuar fillimisht në zonën Marlee, e njohur për një përqëndrim të konsiderueshëm shqiptarësh. Tashmë prej 6 vitesh ai jeton në zonën Spadina-Fort York.

Motivimi kryesor për të kandiduar, siç shprehet vetë Arbri, në një komunikim me Flasshqip.ca, është “dëshira për të përmirësuar cilësinë e jetesës të komunitetit ku bën pjesë”. Sipas tij, por edhe sipas përshtypjeve nga takimet me qytetarë të ndryshëm, “Toronto ka shumë probleme infrastrukturore të cilët duhen zgjidhur, por që sigurisht kërkojnë dhe kohë”. Arbri gjithashtu pohoi se ka mbështetjen e shokëve dhe miqve shqiptarë të brezit të tij, jo vetëm morale, por edhe konkrete në terren, kryesisht me shpërndarjen e fletpalosjeve.

Zona zgjedhore 10 (Ward 10) Spadina-Fort York ka një popullsi rreth 120,000 banorë. Aty në këto zgjedhje bashkë me Arbër Pucin, kandidojnë edhe 11 qytetarë të tjerë. Në vitin 2018 në zonë këshilltar u zgjodh Joe Cressy. Ky i fundit dha dorëheqje në fillim të vitit 2022 dhe për pjesën e mbetur të mandatit u zëvendësua nga Joe Mihevc, i cili nuk kandidon në këto zgjedhje.

Kufiri perëndimor i Zonës 10, Spadina-Fort York, është Winona Drive, Ossington Avenue, Dundas Street dhe Davenport Road, kufiri në lindje është lumi Don dhe lagja Port Lands. Kufiri verior është Dundas Street, Bay Street dhe The Esplanade, ndërsa kufiri në jug është liqeni Ontario. Zona përfshin gjithashtu edhe ishujt e Torontos.

Më poshtë mund të lexoni dhe angazhimet e Arbrit në këtë fushatë zgjedhore, që dëshmojnë një vizion modern, bashkëkohor, me orientim ambientalist, social dhe njëherazi pro artit e bizneseve:

-Rritja e hapësirave të gjelbra dhe fuqizimi i qendrave komunitare

Realiteti për shumë banorë të qendrës së qytetit, veçanërisht atyre që jetojnë në apartamente, është se parku aty pranë bëhet oborri juaj i shtëpisë dhe qëndra e komunitetit lokal bëhet dhoma juaj e lojërave. Janë këto hapësira publike që i bëjnë lagjet tona të jetueshme. Është fakt i njohur që nuk ka mjaft parqe brenda qytetit, ose të paktën në pjesë të caktuara të qytetit. Në zonat me rritje të lartë dhe në zonat me popullsi të dendur si Ward 10, Bashkia Toronto ka dështuar kryesisht në krijimin e rrjeteve të reja të parqeve dhe hapësirave të hapura publike të mjaftueshme për të akomoduar nevojat e dhjetëra mijëra banorëve që banojnë aty. Nëse zgjidhem këshilltar, do të bashkëpunoj nga afër me të gjitha lagjet dhe do të përditësoj çdo kufizim zonimi, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë banorët.

-Transformimi i Torontos në një qytet karbon-neutral

a) Përmirësimi i transportit publik për të siguruar që ai të jetë i shpejtë dhe efikas. Vazhdimi i investimeve në programet e tranzitit publik.

b) Përmirësimi i infrastrukturës dhe sigurisë për këmbësorët, çiklistët dhe të gjitha format e reja të udhëtimit pa karbon, siç janë e-skuterët ose biçikletat elektronike.

c) Rritje e përdorimit të energjisë së rinovueshme lokale duke inkurajuar dhe rritur përputhshmërinë e saj me ndërtesat aktuale, duke e bërë më të lehtë instalimin e paneleve diellore dhe instalimin e bankave të baterive për të kursyer energji.

d) Rritja e infrastrukturës së automjeteve elektrike në të gjithë qytetin, duke e bërë më të lehtë instalimin e një stacioni karikimi dhe krijimin e stacioneve të përbashkëta të karikimit.

e) Stimul për njerëzit që të drejtojnë automjete elektrike nëpër qytet për të ndihmuar në uljen e ndotjes së ambientit.

-Banesa me çmim të përballueshëm

Banesa me çmim të përballueshëm nuk duhet të jetë një privilegj, por një e drejtë. Çmimet e qirasë në Toronto janë rritur jashzakonisht shume. Inflacioni po e bën jetën e të gjithëve më të shtrenjtë. Bashkia duhet të sigurojë që kontrolli i qirasë të mbetet në fuqi dhe gjithashtu t’i mbajë taksat mbi pronën, për ata që e zotërojnë, të ulëta.

Dy vitet e fundit mijëra banesa të reja janë ndërtuar me qira të përballueshme si pjesë e Planit aktual të Reduktimit të Varfërisë. Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin në favor të tyre dhe aksesin në këto lloj banesash, në mënyrë që njerëzit në nevojë t'i përdorin ato.

-Masterplani i Artit publik në mbarë qytetin

Në një qytet të klasit botëror si Toronto, Arti duhet të përfshihet sa më shumë brenda tij. Ne duhet të vazhdojmë të zgjerojmë hapësirën e studiove filmike në qytet. Ambientet muzikore duhet të ruhen dhe ne duhet të reduktojmë barrierat për artistët vendas për të patur akses aty. Ka shumë artistë që jetojnë në Fort York-Spadina Ward, të cilët duhet të jenë në gjendje të krijojnë art në të gjithë qytetin dhe të afirmohen në Torontos.

-Zgjerimi i biznesit dhe mundësi të reja punësimi.

Toronto ka një fuqi punëtore të madhe dhe të larmishme. Bashkia duhet të punojë për të siguruar që kompanitë teknologjike, financiare, filmike dhe artistike të operojnë më sukses dhe të shtohen në këtë qytet të mrekullueshëm. Duhet t'u ofrohet mbështetje kompanive për të investuar dhe për të shfrytëzuar fuqinë punëtore lokale.

-Frenimi i krimit

Toronto ka pasur një rritje të madhe të krimit dhe dhunës vit pas viti. Kërkohet më shumë fokus dhe angazhim nga Bashkia për të frenuar krimin në qytet. Çdo lagje ka nevojë për një program sigurie për komunitet e saj. Si Bashki, ne duhet t'i sensibilizojmë më shumë nivelet e tjera të qeverisjes që të zbatojnë ndalimin e armëve pa leje.

Flasshqip.ca i uron sukses Arbër Pucit dhe fton të gjithë shqiptarët e Torontos ta mbështesin, sipas mundësive. Në Kanada, në shumicën dërrmuese të rasteve, rezultatet e zgjedhjeve janë çështje numrash dhe komunitetet e mëdhenj në numër kanë më shumë mundësi të jenë të përfaqësuar. Megjithatë, mendojmë se Arbri dhe të tjerë para tij (apo dhe të tjerë më pas) meritojnë respekt pa kufi për kurajon dhe iniciativën për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe të kandidimit në zgjedhje. Ata janë promotorët e afirmimit të mëtejshëm të shqiptaro-kanadezëve, që pa hezituar mund të thuhet se janë ndër komunitetet më të integruar në një kohë rekord në Kanada.

Më poshtë disa lidhje që mund të konsultohen:

https://www.toronto.ca/city-government/elections/ (të dhëna për zgjedhjet në Toronto)

https://arberpuci.com/ (faqja zyrtare e kandidatit Arbër Puci)

Në këtë lidhje çdo qytetar i Torontos mund të mbështesë financiarisht më një donacion fushatën e Arbër Pucit

https://www.gofundme.com/f/help-elect-arber-puci-for-councillor-of-toronto

©Flasshqip.ca

 Fotot: City of Toronto, Arbër Puci