Komunitet

Imami shqiptar i Torontos Adnan Berbatovci - Misionari në shërbim të komunitetit

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Në Toronto, metropolin kanadez, siç dihet jeton dhe shumica e komunitetit shqiptar të Kanadasë. Ashtu si në trojet tona në Ballkan, komuniteti ynë është i organizuar këtu edhe në aspektin e besimeve fetare kryesore (muslimanë, katolikë, ortodoksë e ungjillorë). Ndër këto organizime, falë dedikimit të shumë patriotëve shqiptarë, më i vjetri, prej mëse 70 vjetësh, është Albanian Muslim Society of Toronto, që ka në pronësi edhe xhaminë e vet, në adresën 564 Annette Street. Për t’u ofruar lexuesve më shumë informacion për këtë temë, ne sot ftuam për një intervistë në Flasshqip Imamin e Xhamisë Shqiptare të Torontos z. Adnan Berbatovci. Po kush është Adnand Berbatovci?

Adnan Berbatovci ështe me origjinë nga qyteti i Fushe-Kosovës në Kosovë, qytet ku ka lindur, është rritur dhe ka marrë formimin bazë shkollor. Më pas ai ka kryer Medresenë e Mesme Alaudin në Prishtinë më 1997, për të vazhduar studimet e mëtejme teologjike në Universitetin Al-Az-Har në Kajro të Egjiptit ku dhe u diplomua më 2002. Pas studimeve universitare, Adnani u kthye në vendlindje dhe deri në vitin 2008 shërbeu fillimisht si Imam në Xhaminë e Qytetit, në Fushë-Kosovë. Në vitin 2009 po ashtu mbrojti dhe gradën Master pranë filialit të American Open University në Kajro. Ndërkohë gjatë vitit 2008 u transferua në Prishtinë, në postin e Sekretarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Pas 8 vitesh me shërbim në Prishtinë, në prill 2016, siç shprehet vetë ai, pati nderin e veçantë të emërohet Imam i Xhamisë Shqiptare të Torontos, detyrë që edhe sot e kryen me shumë përkushtim atdhetar.

Flasshqip: I nderuar Adnan, si ndodhi që ju erdhët në Toronto për t’i shërbyer komunitetit të këtushëm?

Adnan Berbatovci: Të them të drejtën, nuk e kisha menduar ndonjëherë që do punoja jashtë Kosovës, por ja që, kur një gjë është e shkruar nga Zoti i madh, ajo edhe ndodh. Megjithatë ndihem sot shumë i privilegjuar dhe e falenderoj edhe Kryesinë e atëhershme që më përzgjodhi të jem Imam i Xhamisë Shqiptare të Torontos. Në mesin e shumë konkurrentëve, ishte shumica e anëtarëve e cila e dha verdiktin final që unë të caktohesha në këtë detyrë të shenjtë. Ndjehem shume komod këtu prej 6 vjetësh. Anëtarët e Xhamisë Shqiptare të Torontos janë të mrekullueshem, të përkushtuar dhe shumë solidarë. Mendoj se ia kam arritur me punë ta fitoj respektin e shumicës së tyre. Njëkohësisht përpiqem maksimalisht që t’i përfaqësoj ata ashtu siç e meritojnë, në të gjitha eventet gjatë gjithë vitit.

Flasshqip: A mund të na flisni shkurtimisht edhe për organizimin prej vitesh të komunitetit shqiptar musliman në Toronto, që me sa dimë, është më i vjetri dhe më i madhi në Kanada?

Adnan Berbatovci: Ashtu siç e theksuat edhe ju, komuniteti shqiptar musliman në Toronto është padyshim komuniteti më i vjetër këtu. Ka mbi 70 vite që edhe zyrtarisht është i organizuar, e në formën jo zyrtare mund të jetë akoma edhe më i vjetër. Ky komunitet ka qenë bërthama kryesore e shqiptarëve në Toronto e më gjerë. Falë tij dhe u formua Shoqata Shqiptare e Torontos, që sot njihet si Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e Torontos. Sa i përket aktivitetit, përveç aspektit fetar të funksionimit si xhami, anëtarët e komunitetit musliman shqiptar kanë organizuar dhe organizojnë rregullisht evente të ndryshme, të të gjitha aspekteve, si fejesa, takime të familjarëve, mesimin e besimit në gjuhën shqipe, pritje të ngushëllimeve nga familje që humbasin të afërmit, pra takime e aktivitete, që shërbejnë për afrimin e shqiptarëve kudo që gjenden me njëri-tjetrin.

Flasshqip: Cilat janë sipas jush raportet midis perkatesisë kombëtare dhe asaj fetare?

Adnan Berbatovci: Sa i përket përkatësisë kombëtare dhe asaj fetare, mund të them se mes nesh kjo gjë është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka aspak kontradikta. Zoti i Madh na ka falur këtë komb dhe këtë gjuhë, të cilën e duam dhe e çmojmë. Sipas meje, por edhe bazuar në lexime të shumta si në aspektin fetar, ashtu edhe në rrafshin kombëtar, feja thërret në ruajtjen e kombit, traditës dhe zakonëve të mira, të cilat i trashëgon populli shqiptar.

Flasshqip: Shqiptarët janë popull që i përkasin tre besimeve dhe shpesh sillen si shembull në Ballkan e më gjerë për harmoninë mes këtyre besimeve. Pse është trashëguar kjo traditë sipas jush dhe cili është komenti juaj?

Adnan Berbatovci: Është e vërtetë që ne shqiptarët u takojmë tre besimeve dhe po aq e vërtetë është gjithashtu që në këtë aspekt ne jemi shembull për tërë Evropën dhe tërë botën. E kjo gjë buron nga pjekuria shumë e madhe e popullit tonë, që aspektin fetar e trajton ashtu si duhet trajtuar, përmes tolerancës, respektimit, mirëkuptimit dhe vëllazërisë në përgjithësi. Të parët tanë, qofshin ata muslimanë apo të krishterë, po t’i referohemi të gjitha periudhave kohore të kaluara, e kanë kuptuar shumë herët që ajo që nuk duhet ndryshuar është përkatësia kombëtare, nuk duhet ndryshuar gjuha shqipe, ndërkaq, feja zgjidhet në bazë të bindjeve dhe aty ku fle zemra dhe shpirti. Zaten e kemi të shënuar edhe në Kuranin famëlartë se në fe nuk ka dhunë, prandaj edhe prezenca e besimeve të ndryshme ndër shqiptarët është edhe nxitje, edhe mesim shumë i madh për mbarë botën, se si duhet të bashkëjetojnë fetë me njera-tjetrën, pa shkaktuar asnje perçarje në popull.

Flasshqip: Cila ështe për ju rëndësia e ruajtjes së traditës tonë kulturore dhe gjuhësore në një komunitet që jeton larg atdheut?

Adnan Berbatovci: Ruajtja e traditës, gjuhës dhe kulturës shqipe është detyrim për të gjithë ne që jetojmë larg atdheut. Ne mund të kemi çdo gjë, pasuri, pallate, biznese, apo ku e di se çfarë, por nëse e harrojmë gjuhën dhe traditën shqiptare, duhet ta dimë se kemi humbur tërësisht. Që kjo të mos ndodhë, ne duhet të jemi më të bashkuar rreth idealit kombëtar, t’i harrojmë dhe largojmë inatet dhe mëritë, të veprojmë si njerëz të kulturuar dhe vizionarë, të organizojmë takime të shumta të të gjitha sferave, të shkundim xhepat, sepse për hir të kombit duhet të kontribuojmë dhe financiarisht, por ama edhe organizatorët duhet të jenë të sinqertë. Shoqëria shqiptare duhet të shohë atë që e ka dhëne, t’i shohë sukseset…

Flasshqip: Pra sipas jush, çfarë mund të bëhet akoma më teper në këtë aspekt këtu në Kanada e veçanërisht në Toronto ku është e përqëndruar pjesa dërrmuese e komunitetit nga gjithë trevat shqiptare në Ballkan?

Adnan Berbatovci: Është bëre deri tani jo pak, por duhet të bëhet shumë më tepër. Aq shqiptarë sa jemi këtu, nëse dhurojmë të gjithë nga një pagë mujore, mund të blejmë një objekt, a ndonjë hapësirë të madhe, ndoshta me hektarë dhe ta bëjmë vendtakimi për të gjithë ne, ashtu siç e kanë shumë komunitete të Ballkanit. Kjo pra arrihet me sinqeritet, punë dhe ndershmëri. Ne nuk jemi popull që nuk japim, por vetem se duhet të jenë udhëheqësit e sinqertë. Është domosdoshmëri krijimi i një qendre kulturore, me të gjithë elementët përbërës, sallë shfaqjesh, fusha sportive, ambient shkolle etj. Nëse do ta realizojmë këtë, do të kemi uratën e të gjithë brezave që do vijnë si dhe do mund ta ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe gjuhen tonë këtu ndoshta edhe me shekuj. E që kjo te realizohet duhet një mobilizim gjithëkombëtar, si ketu, ashtu edhe duke kerkuar mbështetje nga Shqipëria, Kosova e shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në forma si financiare, ashtu edhe në forma të tjera lehtësuese. Këtë e kanë detyrim edhe institucionet shqiptare, sepse mundi dhe djersa e shumicës së shqiptarëve këtu, shumë shpesh shkon dhe financohet në atdhe.

Flasshqip: Si e vlerësoni Kanadanë si shoqëri multikulturore dhe sa i rrezikuar është ky vend nga qëndrimet ekstreme ndaj pakicave dhe besimeve të pakicave prej asaj që mund të quhet pjesa tradicionale e shoqërisë kanadeze?

Adnan Berbatovci: Kanadaja është vend i mrekullueshëm sa i përket ndjesisë së të jetuarit në menyrë dinjitoze në të gjitha apektet. Normal që ka veprime të izoluara që mundohen herë pas here ta prishin këtë ekuilibër, por duhet ta pohojmë qartë se Qeveria Federale dhe gjithë institucionet shtetërore të Kanadase, u dalin në mbrojtje pakicave, duke ua garantuar të drejtat njerëzore dhe fetare në përgjithësi. Të them të drejtën, sa i përket aspektit fetar dhe të drejtave fetare, këtu kemi më shumë sosh sesa në vendin tonë. Marr si shembull problemet që lindën për bartjen e shamisë, që për mua e shumë të tjerë ishin absurde, përderisa këtu jo vetëm vajzat që mund të shkojnë në shkollë me shami, kryq apo yll të Davidit, por edhe mësueset janë të lira në këtë aspekt. Ju e dini fare mirë, se keni një kohë të gjatë që jetoni këtu.

Flasshqip: A i ndiqni zhvillimet e politikës shqiptare në Ballkan? Nëse se po, si e shihni të ardhmen e kombit shqiptar në një kontekst integrimi europian?

Adnan Berbatovci: Zhvillimet në Ballkan dhe në Shqiperitë tona, siç thotë i nderuari Kim Mehmeti, i përcjell çdo ditë. Na ka mbetur ende në shpirt vendlindja dhe kontinenti yne… Nuk jam ndonjë analist që mund të jap shumë vlerësime apo konkluzione, por aty ku mungon ekonomia dhe drejtësia, mungojnë të gjitha gjërat. Kot flasim nëpër debate, kot organizojmë mbrëmje kulturore, kot mundohemi të shtiremi si vende që ecim paralel me botën e zhvilluar, kur në të njëjtën kohë nuk krijojmë atmosferë shprese dhe lumturie në vendin tonë. E kjo pra realizohet me drejtësi, me ligj që funksionon njëlloj për të gjithë, me drejtësi sociale dhe investime që thithen me garanci dhe siguri, e shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat mungojnë në vendet tona. Që të mos e zgjas, që të ulesh në një tavolinë me dikë, duhet të jesh pak i kategorisë së tij. Kështu janë raportet tona edhe me Europën. Kur të përmirësohemi dhe të jemi më të denjë institucionalisht, atëherë besoj se nuk do kemi telashe të integrohemi dhe të bëhemi pjesë funksionale e Europës.

Flasshqip: I nderuar Adnan, a keni dëshirë të shtoni diçka tjetër që mendoni se vlen të përcillet tek lexuesit e Flasshqip?

Adnan Berbatovci: Nuk më mbetet tjetër veçse t’ju falenderoj për mundësinë për të komunikuar me bashkatdhetarët përmes Flasshqip.ca, duke e lutur Zotin e Gjithësisë që sukseset dhe mirësitë t’ju shoqërojnë gjithherë, në të mirë të punëve të mira, shqiptarisë dhe mbarë komunitetit në përgjithësi.

Flasshqip: Edhe ne ju falenderojmë përzemërsisht për bisedën interesante dhe të sinqertë, duke ju uruar njëkohësisht shëndet familjarisht e suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik dhe të shenjtë, në shërbim të kombit dhe besimit.

 

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!

©Flasshqip.ca