Komunitet

Halifax-Nova Scotia: Established Recognition Award për piktorin Zeqirja Rexhepi

  • Published in Komunitet

Flasshqip e publikoi një vit më parë lajmin e gëzueshëm kulturor që pat ardhur nga provinca Nova Scotia mbi vlerësimin që iu bë artistit dhe piktorit të mirënjohur Zeqirja Rexhepi për arritjet e tij në karrierën mbi 20 vjeçare në Kanada. Për kontributin e veçantë në integrimin e dy kulturave, të vendit të origjinës dhe vendit që e mirëpriti bujarisht në vitin 1999, ai vlerësua me çmimin prestigjioz Established Artist Recognition Award për vitin 2021 nga Arts Nova Scotia dhe Creative Nova Scotia. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve, që për shkak të pandemisë nuk arriti të zhvillohej vitin e kaluar, është zhvilluar sot në mbrëmje në Halifax.

Arts Nova Scotia është agjencia provinciale që ofron mbështetje për artistët profesionistë, organizatat e artit dhe programet e edukimit në fushën e artit. E udhëhequr nga një bord drejtues prej 11 anëtarësh dhe e krijuar me ligj në vitin 2011, kjo agjenci është në varësi të drejpërdrejtë të Ministrit të Komuniteteve, Kulturës dhe Trashëgimisë, ndërsa Creative Nova Scotia shërben si një organ këshillimor për Ministrin në fjalë dhe vepron në mbështetje të gjallërimit të jetës kulturore të provincës.

Zeqirja Rexhepi ka lindur në Përlepnicë të Gjilanit më 1955, ai e ka kryer gjithë shkollimin e tij si artist në Shkup e Prishtinë, ku dhe u diplomua në vitin 1979 në Akademinë e Arteve. Para ardhjes familjarisht në Kanada në kohën e Luftës së Kosovës, në vitin 1999, Zeqirja Rexhepi i pat lënë gjurmët e punës së tij jo vetëm me tablo, por edhe me shumë piktura murale në objekte kulti dhe si tekstil dizajner.

Në Halifax ku jeton sot, Zeqirjai nuk është vetëm një piktor i afirmuar që di ta përcjellë me mjeshtëri të spikatur te publiku artin e vet, por edhe skenograf filmi në më shumë se 20 syresh. Anëtar i disa shoqatave të arteve figurative të provincës, ai është i angazhuar edhe në nivel federal ku veçohet pjesëmarrja e tij në Shoqatën e Artistëve të Forcave të Armatosura të Kanadasë dhe Muzeut Nacional, ku ai përfaqëson Nova Scotia-n.

Zeqirja Rexhepi është pjesëmarrës gjithashtu në shumë ekspozita, personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë Kanadasë, ndër to edhe ekspozitat e përbashkëta të piktorëve shqiptaro-kanadezë. Dy teknikat kryesore të tij janë pëlhura dhe pikturat murale.

Tre tablo të piktorit të shquar shqiptar ndodhen sot të ekspozuara si pjesë e fondit të institucionit në National Defense Head Quarters, Ottawa, ndërsa një tjetër në Muzeun e Marinës në Halifax.

Suksesi profesional i Zeqirja Rexhepit ka gjetur pasqyrim të gjerë në shtypin e specializuar kanadez për artet figurative dhe kritika e ka cilësuar atë si një artist me talent të veçantë që arrin përmes koloritit abstrakt, të përcjellë mesazhe të jetës së përditshme përmes simbolikës paralele dhe metaforave.

Edhe një herë urime të përzemerta Mjeshtër Zeqirja Rexhepi! Shëndet e krijimtari të suksesshme paç gjithmonë!

©Flasshqip.ca