Festivali i fëmijëve shqiptaro-kanadezë në Toronto “Marlee’s Got Talent”, një histori atdhedashurie
- Published in Komunitet
- Nga: Përgatiti Taulant Dedja

Taulant Dedja - Québec
Nëntori është Muaji Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në provincën e Ontarios (i njohur përmes Bill 145, Albanian Heritage Month Act) që është jo vetëm provinca më e populluar dhe motori ekonomik i Kanadasë, por edhe territori ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit me origjinë shqiptare në Kanada, më së shumti imigrantë ekonomikë të ardhur pas viteve 90-të, falë kualifikimeve profesionale dhe zotërimit të gjuhëve zyrtare kanadeze.

Është i ditur fakti që Kanadaja, si vend multikulturor, e inkurajon përmes shumë mekanizmave ruajtjen e trashëgimisë kulturore nga komunitetet, por sigurisht rolin kryesor në këtë drejtim, e luajnë mbi të gjithë, aktorët dhe veprimtarët komunitarë si dhe aktivitetet kulturore që ata gjenerojnë falë angazhimit dhe përkushtimit të tyre vullnetar. Ndër ta, prej 8 vjetësh në metropolin kanadez Toronto, ka spikatur një iniciativë që mban emrin “Marlee’s Got Talent” (MGT). MGT është një Talent show ose Festival artistik i fëmijëve shqiptarë të Torontos dhe GTA (Greater Toronto Area) të moshave 4 deri 18 vjeç, që organizohet vullnetarisht çdo vit në fund të majit ose në fillim të qershorit.

MGT, krijuar me iniciativën e Zj. Ina Xoxa (drejtuese e korit dhe drejtuese artistike), sot mësuese e ciklit 8-vjeçar në sistemin shkollor publik, është një aktivitet që mund të thuhet me plot gojën se e ka konsoliduar tashmë identitetin e vet dhe pa dyshim është një histori e vërtetë atdhedashurie, një kontribut i madh në transmetimin e traditës shqiptare tek brezi më i ri i komunitetit tonë, tek ata femijë që mbërritën në Kanada fare të vegjël bashkë me prindërit, ose lindën këtu, një kontribut gjithashtu për nxitjen dhe zhvillimin e talentin të tyre artistik dhe jo vetëm.

Ja si e rrëfen Ina Xoxa nisjen e rrugëtimit të MGT:
“Unë nuk kam kualifikime muzikore, jam diplomuar si mjeke e përgjithëshme në Universitetin e Tiranës, ndërsa në Toronto punoj si mësuese (Ontario Certified Teacher) në Peel District School Board. Pasionin për muzikën, artin dhe punën me femijët e kam trashëguar nga prindërit e mi, që kanë qenë arsimtarë të përkushtuar dhe artdashës, e sidomos nga im atë që ka qenë jo vetëm organizator koncertesh në shkollë, por edhe një aktivist i dalluar në komunitet (teatër dhe variete). Një mbështetje të vazhdueshme në punen time vullnetare si drejtuese e korit dhe drejtuese artistike e MGT show kam patur dhe kam nga familja ime, bashkeshorti im, Vaska Xoxa dhe fëmijet e mi Scott dhe Olivia Xoxa, të dy të lindur në Toronto. Vitet e fundit, vajza ime, Olivia, më ka ndihmuar shumë si bashkëpunëtore në përzgjedhjen e këngëve, koreografinë e valleve dhe duke implementuar idetë e brezit të ri në organizimin e shfaqjeve. Unë fillimisht e nisa aktivitetin muzikor me dy fëmijët e mi të vegjël, duke u mësuar atyre të këndojnë e të luajnë në piano dhe kitarë këngë shqiptare. Më pas, duke parë dëshirën e shumë prindërve që jetonin në zonën e Marlee Avenue në Toronto dhe falë inkurajimit të bashkëpunëtores sime të vjetër, Gentiana Aliaj, mora iniciativën të krijoj Korin e Fëmijëve shqiptarë të Torontos me 24 koristët e parë. Kori i ri fillimisht mori pjesë në Festën e 8 marsit 2012, Festën e shkollave shqip të Torontos në qershor 2012 si dhe në Koncertin e madh të 100-vjetorit të Pavarësisë, aktivitete të organizuar nga SHBSHK Toronto. Më pas, duke parë që dëshira për pjesëmarrje po rritej, mendova të organizoj një “Talent show”, ku fëmijët shqiptarë do të kishin mundësi të këndonin në kor këngë shqip, të kërcenin vallet tona të bukura, të luanin instrumenta, të recitonin etj. me një repertor shqiptar, kanadez dhe ndërkombëtar”.

Për herë të parë “Marlee’s Got Talent” u realizua në maj 2014 duke u shndërruar më pas në një traditë të përvitshme. Deri tani jani zhvilluar 6 edicione. Në vitet 2020 dhe 2021, për shkak të pandemise, kori i MGT mundi të organizojë vetëm disa shfaqje online. Numri i pjesmarrësve në kor ka arritur gjithsej në mbi 40, ku përfshihet edhe kori i të rinjve (12 vetë).

Sipas Ina Xoxës, suksesi i MGT është meritë e fëmijëve në radhe të parë, por edhe e prindërve, falë të cilëve është realizuar një komunikim, një transparencë dhe një bashkëpunim shumë frytdhënës, me dëshirën e përbashkët, trashëgimin e kulturës dhe gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Po kështu, një meritë të veçantë në suksesin e korit ka violinistja Entela Galanxhi, mësuese në TDSB (Toronto District Scool Board) dhe Koncertmaestër e Greater Toronto Philharmonic Orchestra (GTPO). Entela Galanxhi e ka mbeshtetur vullnetarisht korin që në krijimin e tij, duke arranzhuar muzikën e mbi 50 këngëve shqiptare. Ajo, së bashku me bashkëshortin, muzikantin Qazim Kallushi, mësues në TDSB dhe Drejtor ekzekutiv i GTPO si dhe me Mara Çakon, mesuese në TDSB dhe pianiste në GTPO, kanë shoqëruar korin dhe solistët në skenë në të gjitha shfaqjet e MGT në vite. Po kështu pianistja Sofia Papadhimtri së bashku me Mjeshtrin Jani Papadhimitri të “Trio Fammus”, e kanë shoqeruar korin e MGT në disa performanca mbresëlënëse. Në të njëjtën kohë, Entela Galanxhi, Qazim Kallushi, Mara Çako, Sofia Papadhimitri dhe Rudin Lengo, kanë ndihmuar shumë fëmijë të MGT për përgatitjen e performancave të tyre në Talent show (piano, kitarë, violinë etj.).

Një kontribut të veçantë në vite, me organizimin dhe manaxhimin e shfaqjeve ka dhënë edhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Ina Xoxës, Gentiana Aliaj, stilistja dhe skenografja Eva Hoxha, së bashku me Enkeleda Deden dhe Alma Dokun, e cila është edhe graphic designer e MGT. Po kështu, “Pasqyra Shqiptare” ka xhiruar të plotë çdo shfaqje dhe ka transmetuar çdo vit emisione të veçanta për të afruar sa më shumë anëtarë të rinj, ndërsa Genti e Lorida Hali (LGH Art Photography) kanë fotografuar çastet më të bukura të fëmijëve në skenë, qysh nga edicioni i parë.

Në rastin e MGT një element që meriton të vihet veçanërisht në dukje është gjithëpërfshirja. Fëmijet aty pranohen pa audicione/përzgjedhje, pasi qëllimi parësor i këtij festivali është që t’u ofrojë të gjithë fëmijëve shqiptarë, që kanë dëshirë, një mundësi për të mësuar kënge e valle shqiptare, folklorike e të përpunuara. Ftesa për pjesëmarrje kryesisht bëhet përmes rrjeteve sociale, por edhe mediave.

Një tjetër aspekt që nuk mund të lihet pa përmendur, është mbështetja e sponsorëve dhe dashamirësve të shumtë të MGT. Krahas emrave të cituar më lart, bashkë me ta renditen Vasil Kristaqi, Eva Hoxha, Odeta Ramadani, Rei Misiri, Vilma Mebelli, Zeneida dhe Denio Jorgji, EDB Innovations Inc., Liljana Vaso, Lindita dhe Ervin Meço, Holta Kellezi, Berat dhe Fatmir Bajrami, Ajkuna Dakli, Flavia Zgjani, Dritan Loli, Minire Osmani etj. Po kështu, disa biznese shqiptare në Toronto e GTA e kanë mbeshtetur MGT show çdo vit me shpenzimet e skenës, kostumeve, veshjeve të korit etj. “Ne u jemi mirënjohës të gjithëve për entuziasmin dhe dëshirën që kanë për të ndihmuar në trashëgimin e kulturës sonë te femijët dhe të rinjtë e diasporës shqiptaro-kanadeze në Toronto. Çdo vit, fëmijet e MGT shprehin falenderimet e tyre për sponsorët në një video speciale mirënjohjeje që përcillet në rrjetet sociale”, pohon Ina Xoxa.

Por aktiviteti i MGT nuk janë vetëm shfaqjet në publik. Vitet e fundit, artistët e vegjël dhe të rinj kanë filluar të punojnë më shumë së bashku duke përgatitur performanca në grup. Një grup të rinjsh të MGT ndajnë eksperiencën e tyre në valle e këngë me më të vegjëlit, duke i ndihmuar të mësojnë vallet në prova si dhe me video tutorial. “Është kënaqësi të shikosh se si MGT po lulëzon si një komunitet i vogël ku të gjithë punojnë vullnetarisht për muaj me radhë, me pasion e përgjegjësi për të krijuar kujtime të bukura të përbashkëta”, shton themeluesja dhe drejtuesja e MGT.

Ndër bashkëpunëtoret më të dalluara që kanë ndihmuar për shumë vite me radhë në kor dhe valle janë të rejat Olivia Xoxa, Amanda Doku, E. A., Doreen Shtylla, Alyssa Dedelli, Elia Pasha, Ariel Doku, Eralba Hajdaraj, Eva Shtylla. Së fundi, pas një shkëputjeje 2 vjeçare, fëmijet përgatitën 4 këngë patriotike dhe disa poezi me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, të cilat i interpretuan në një show që u zhvillua dje, më 19 nëntor në Toronto.

Kujtojmë gjithashtu që vitin e kaluar, MGT e përfaqësoi me shumë sukses komunitetin shqiptaro-kanadez në Festivalin e 11-të ndërkombetar të Vjenës, World Peace Choral Festival 2021 (online). Në këtë festival morën pjesë 300 kore nga 40 vende të botës. Kori i MGT u paraqit me dy këngë shqiptare: “Margjelo” (kori i të rinjve) dhe “Këndo bilbil i fushave” (kori i fëmijëve). Në fund të aktivitetit, kori i MGT u vleresua me Bronze Award Certificate.

Sigurisht kur bëhet bilanci i një suksesi disa vjeçar dhe i nje eksperience të vlerësuar maksimalisht nga të gjithë si “Marlee’s Got Talent”, duhen evidentuar dhe elementët dhe vlerat më dobiprurëse. Sipas Ina Xoxës, MGT ka shërbyer dhe shërben si një qendër komunitare shqiptare për familjet dhe femijët. Aty, të gjithë prindërit që ndihmojnë në përgatitjen e shfaqjeve, mësojnë shumë nga fëmijët që plotësojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin, duke ndërthurur me sukses më të mirat e të dy kulturave, shqiptare dhe kanadeze. Prezenca e dy kulturave është dhe garanci për vazhdimësinë, sepse kështu fëmijët identifikohen plotësisht. Aty janë krijuar dhe vazhdojnë të krijohen lidhje miqësore mes pjesëmarrësve, sepse provat zhvillohen gati çdo të shtunë gjatë 5 muajve.

MGT ndihmon në rritjen e vetëbesimit te fëmijët dhe ofron eksperiencën e përballjes me skenën dhe publikun. Përmes MGT, fëmijët njihen me krijimet më të mira shqiptare në këngë, valle, pjesë instrumentale, krijime letrare (një pasuri që fëmijët do ta përdorin në gëzime familjare kur të rriten), mësojnë tekstet dhe pasurojnë gjuhën nëpërmjet diskutimeve që zhvillohen mbi historinë dhe traditat shqiptare, apo figurat më të shquara që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Ndërkohë, falë MGT, fëmijët drejtojnë dhe mësohen me përgjegjësi, përdorin community volunteer hours për aplikime në universitet, apo mësojnë si të bëjnë fundraising për të mbështetur bashkëmoshatarët në Shqipëri (si në rastin e termetit të vitit 2019) apo dhe zhvillimin e koncerteve të bamirësisë, si ai i organizuar nga Ervin dhe Lindita Meço në Toronto.

Ja edhe një përmbledhje e aktiviteteve në vite të “Marlee’s Got Talent”:
-MGT Talent Show çdo vit qysh prej 2014;
-Koncerte, aktivitete të organizuara nga SHBSHK Toronto: Koncerti i shkollave shqip të Torontos, Koncerti i 8 Marsit, Koncerti i 100 vjetorit të Pavarësisë, Koncerti i Shenjtërimit të Nënë Terezës;
-World Vision, Global 6K for Water Concert, shoqëruar nga “Trio Fammus” (Jani dhe Sofia Papadhimtri);
-Fundraising me donacione nga vetë fëmijet dhe 2 këngë të korit në mbështetje të bashkëmoshatarëve në Shqipëri (tërmeti 2019);
-Koncerti virtual i Festës së Flamurit 2020, organizuar nga Ambasada Shqiptare në Ottawa;
-Festivali i 11-të ndërkombetar i Vjenës 2021 - World Peace Choral Festival 2021 (online) ku kori i MGT u vleresuan me Bronze Award Certificate;
-Koncerti i bamirësisë organizuar nga Lindita dhe Ervin Meço (dhjetor 2021);
-Koncerti me rastin e 110 vjetorit të Pavaresise, 19 nëntor 2022.
Flasshqip u uron suksese të mëtejshme drejtuesve dhe organizatorëve të MGT si dhe gjithë fëmijëve e të rinjve shqiptaro-kanadezë që kultivojnë aty talentin e tyre.
Të gjithë prindërit e interesuar që fëmijët e tyre të marrin pjesë në Festivalin “Marlee’s Got talent” janë të mirëpritur të kontaktojnë:
-Email Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.;
-Numrin e telefonit 416 312-7034;
-Messenger profilet Facebook të Zj. Ina Xoxa ose Marlee's Got Talent;

©Flasshqip.ca
Fotot: LGH Art Photography












