Komunitet

Vota e diasporës dhe një diskutim në Toronto rreth saj - Nga Petro Karanxha

  • Published in Komunitet

Vota e diasporës është një temë e diskutuar në shumë vende të botës, duke përfshirë Shqipërinë. Diaspora shqiptare është e ndarë në më shumë se 60 vende të ndryshme dhe përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë së Shqipërisë. Përkundër kësaj, vota e diaspores është ende e kufizuar dhe shumë shqiptarë në diasporë nuk kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet vendore apo parlamentare.

Përveç faktit që vota në distance ende nuk është bërë realitet, duhet theksuar se procesi i regjistrimit të votuesve në diasporë është i vështirë dhe i komplikuar. Shumë shtetas shqiptarë në diasporë nuk janë në gjendje të regjistrohen si votues sepse nuk kanë dokumentet e nevojshme (shërbimi i pajisjes me pasaporta nuk ofrohet kudo) apo nuk kanë mundësi të udhëtojnë në Shqipëri për të ushtruar të drejtën e votes edhe për shkak të distancave të gjata, siç është rasti i diasporës shqiptaro-kanadeze.

Megjithëse në Kanada tani mundësohet aplikimi në ambasadën shqiptare për t’u pajisur me dokumentat biometrike (pasaportë dhe kartë identiteti), fakti që hapësira e Kanadasë është shumë e madhe si dhe fakti që për aplikimin duhet të paraqitesh në Ottawa (ambasada nuk e ka ofruar deri tani shërbimin nëpërmjet dërgimit të punonjësve të saj në qytetet kryesore periodikisht) është gjithashtu një barrierë që duhet marrë në konsideratë për t’u lehtësuar

Në të njëjtën kohë, ka gjithnjë e më shumë zëra që shprehen se vota e diasporës është e rëndësishme për të garantuar demokracinë e plotë në Shqipëri dhe për ta nxjerrë vendin nga gjendja e një sistemi hibrid si rezultat i të cilit lulëzon korrupsioni dhe frenohet zhvillimi ekonomik dhe social i balancuar, apo vazhdon braktisja në masë e vendit sidomos nga të rinjtë.

Ndërkohë edhe pse remitancat e diasporës shqiptare vazhdojnë të jenë një kontribut i rëndësishëm në ekonominë e vendit, ndikimi i saj në nivelin politik është thuajse i papërfillshëm, pikërisht sepse ushtrimi i të drejtës së votës mbetet i kufizuar.

Jam i bindur, si shumë të tjerë, që diaspora mund dhe duhet të jetë një burim i ideve perspektivave të reja dhe zgjidhjeve konkrete për të përmirësuar situatën në Shqipëri në çdo aspekt.

Për të bërë realitet pjesëmarrjen masive të diasporës në zgjedhjet shqiptare jo vetëm duhet të ndërmerren hapa për të lehtësuar procesin e regjistrimit të votuesve dhe realizuar votën në distancë (përmes postës apo përmes internetit), por duhen dhe mekanizma e iniciativa për ta sensibilizuar e nxitur më shumë diasporën të përfshihet në proces.

Mbi të gjitha është e rëndësishme të realizohet një proces i besueshëm dhe që garanton numërimin me ndershmëri të votës, sepse problemi më i madh i procesit zgjedhor në Shqipëri mbetet numërimi me ndershmëri i votave.

Në këtë kontekst dhe nisur nga çfarë është diskutuar e diskutohet prej kohësh në media, në tryeza apo rrjete sociale tri pyetje thelbësore shtrohen:

1) Si mund të ndikojmë te institucionet e shtetit shqiptar që procesi i pajisjes me dokumenta identifikimi shqiptare të vlefshme për të votuar të bëhet akoma më efikas?

2) Si duhet realizuar votimi në distancë, duke përjashtuar angazhimin e ambasadave, pjesëmarrja e të cilave e ul besueshmërinë e procesit?

3) A duhet që secilit prej nesh vota t’i numërohet në qarkun ku ka të regjistruar emrin në Gjendjen Civile dhe vota t’i shkojë përkatësisht partisë/kandidatit që mbështesim apo thjesht mjafton një kuotë e vogël vendesh për Diasporën në Parlament (siç u hodh një ide tinëzisht ca kohë më parë), çka do ta reduktonte peshën e votës së saj në një masë të papërfillshme?

Për këto pyetje gjithashtu pres përgjigje në takimin më përfaqësues të organizatës Diaspora për Shqipërinë e lirë që do të zhvillohet në Toronto të Kanadasë në datën 22 janar 2023.

©Petro Karanxha

https://www.eventbrite.com/e/vota-e-diaspores-toronto-tickets-515270868037?utm-campaign=social&utm-content=attendeeshare&utm-medium=discovery&utm-term=listing&utm-source=cp&aff=escb&fbclid=IwAR1RwOTMjbEsxd6u_4QxVllkZiGq2f7hvt3Ud4UruUmRKJ_sRB1i7WSz9KM