Komunitet

Nova Scotia - Komuniteti turk falenderon nxënësin shqiptar për ndihmën ndaj të mbijetuarve nga tërmeti

  • Published in Komunitet

Ashtu si në të katër anët e botës, tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit 2023 që goditi Turqinë dhe Sirinë, nuk la askënd indiferent edhe në Kanada, popullata e të cilës përbëhet nga individe me prejardhje nga 450 etni të ndryshme, mes të cilëve edhe rreth 64,000 kanadezë me origjinë turke. Shumica e tyre jetojnë në Toronto dhe Montreal, por një pjesë edhe në dy skajet e Kanadasë, nga një oqean në tjetrin, Vancouver dhe Halifax.

Pikërisht në Halifax, në metropolin e Kanadasë Atlantike, Turkish Society of Nova Scotia ka falenderuar publikisht dje (15.02) një djalosh 12 vjeçar shqiptar për kontributin e tij në mbledhjen e një fondi modest, por shumë kuptimplotë, në ndihmë të viktimave të tërmetit. Djaloshi është nxënës i klasës së gjashtë dhe quhet Klestor Abazi, një nga tre fëmijët e çiftit Arta Rexhepi dhe Artan Abazi, profesionistë të sektorit të mediave dhe atij bankar, që prej vitesh jetojnë në kryqendrën e provincës Nova Scotia.

Në postimin e publikuar në faqen e rrjetit social Facebook të Shoqatës së Komunitetit Turk në Halifax të shoqëruar me një foto të Klestorit lexohet:

“Ky xhentëlmen i ri quhet Klestor Abazi. Ai mblodhi shishe brenda komunitetit të tij dhe dhuroi 565,25 dollarë për të mbijetuarit nga tërmeti në Turqi. Mirësia e tij është diçka që nuk do ta harrojmë kurrë. Faleminderit Klestor dhe të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së tij”!

Klestori, një nxënës i suksesshëm dhe shumë i sjellshëm e ka pasion punën komunitare. Vitin që shkoi ai shkoi me pushime në Turqi bashkë më prindërit dhe ruan mbresat më të mira nga ajo eksperiencë dhe mikpritja e njerëzve atje, ndaj dhe ditën që mësoi lajmin e tmerrshëm për tërmetin, vendosi të bëje diçka për të ndihmuar me aq sa mundej. Për gjestin e tij që simbolizon virtytet më të mira të shqiptarëve dhe kanadezeve nga të gjitha origjinat, Klestori meriton me të vërtetë të përshëndetet dhe falenderohet.

Ndërkohë, Flasshqip mësoi se edhe gjyshi i tij, piktori i mirënjohur Zeqirja Rexhepi, i vlerësuar për aktivitetin e tij artistik nga autoritetet më të larta kulturore të provincës, i ka dhuruar një tablo të titulluar “Hope” (që simbolizon shpresën e nënës për shpëtimin e fëmijës së saj nga rrënojat e tërmetit) Shoqatës së Komunitetit Turk në Halifax. Kjo e fundit do të organizojë një ankand për shitjen e tablosë këtë fundjave dhe shuma e mbledhur do të dërgohet gjithashtu në ndihmë të të mbijetuarve në zonat e prekura nga tërmeti.

Komuniteti turk i Nova Scotia humbi dhe një nga anëtaret e tij në këtë fatkeqësi të rëndë natyrore. Samar Zora, një kanadeze 33 vjeçare me origjinë turke nga Halifax, e cila ndodhej për vizitë në Turqi në kuadrin e doktoraturës së saj në Antropologji, u gjet pa jetë nga grupet e shpëtimit nën rrënojat e një godine 5-katëshe në Antikia, qytet i provincës Hataya pranë kufirit verior me Sirinë.

© Flasshqip.ca