Komunitet

Gëzuar 5 vjetorin, Flasshqip.ca! - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Komunitet

Nëse ka një media të cilës unë i detyrohem moralisht ajo është Flasshqip.ca, një portal elegant i krijuar dhe i drejtuar me profesionalizëm nga Jeta dhe Taulant Dedja. Jo vetëm si autor që në vazhdimësi gëzon privilegjin e publikimit në këtë portal, por edhe për modelin që ky medium online përfaqëson.

Gjen në faqet e tij një diversitet të shprehjes së fjalës së lirë dhe opinioneve të ndryshme që nuk e has në mediat e tjera shqiptare që veprojnë nën gravitetin e çensurës, pushtetit dhe të qënurit politikisht korrekt. Një hapësirë informative shqiptaro-kanadeze që ka ditur të mbledhë në faqet e saj një sërë penash të fuqishme të publiçistikës, kulturës, artit dhe mendimit.

Një kulturë etike e menaxhuar në mënyrë strikte nga drejtuesit e tij e bën këtë portal një platformë të admirueshme për debat, shpesh të fortë, por të shëndetshëm mes komentuesve që dinë të respektojnë çdo nuancë të përftuar nga thyerja e dritës së argumentave.

Një media që buroi nga zemra e Torontos kanadeze dhe shijohet sot në tërë hapësirën shqiptare në botë.

Në rrjedhën e viteve Flasshqip.ca ka gjetur jo vetëm lexuesin dhe audiencën, por edhe atë çka është më e rëndësishme për një media: zërin e vet origjinal të ligjërimit. Një zë që ka ardhur koha jo vetëm të lexohet, por edhe të dëgjohet.

Një falenderim me mirënjohje, bashkë me urimin tim:

“Gëzuar 5 vjetorin, Flasshqip.ca! U rritsh dhe u bëfsh radio dhe televizion!”

© Artan Gjyzel Hasani - Toronto