Komunitet

Qeveria kanadeze vlerëson Nini Ristanin për 25 vjet karrierë në funksionin publik

  • Published in Komunitet

Kostandin Ristani, ose siç e njohin shokët dhe miqtë Nini, ish-gjimnazisti në “Sami Frashëri”, i shkëlqyer në shkenca ekzakte, ish-basketbollisti i Partizanit, ish-studenti i Inxhinierisë së Ndërtimit i diplomuar shkëlqyeshëm gjithashtu, inxhinieri rebel, me shpirt të lirë e i drejtë që provoi dallgët e jetës nën diktaturën komuniste e më pas imigrimin në Kanada ku arriti në majat më të larta të shtetit kanadez është vlerësuar së fundi nga qeveria kanadeze, për kontributin e tij të pandërprerë gjatë 25 viteve në radhët e shërbimit publik.

Pas imigrimit në Kanada filimisht në Montréal, në vitet 1993-1997 ai ndoqi rrugën arsimimit të përshpejtuar pa shkëputje nga puna në fushën e shkencave kumpjuterike dhe të informacionit, nga niveli kolegjial e deri në nivelin pasuniversitar master. Gjatë kësaj periudhe ai punoi si konsulent në hartimin e zbatimin e sistemeve informatikë që automatizonin veprimtarinë e bizneseve me aftësi ushtruese të vogël e të mesme. Në të njëjtën kohë punoi edhe si pedagog për vitin e fundit të kursit të nivelit universitar të degës së Shkencave kompjuterike në universitetin Concordia, Montréal.

Pas një procesi konkurimi për t’u punësuar në administratën shtetërore federale të Kanadasë, në fillim të vitit 1998 ai e nisi karrierën në sektorin publik kanadez pranë Agjensisë së Statistikave të Kanadasë (Statistics Canada) me qendër në Ottawa, me detyrën e specialistit të sistemeve të informacionit, ku punoi deri në fund të vitit 2001. Në fillim të vitit 2002 pas një konkurimi në Ministrinë e Mbrojtjes (National Defence) u emërua me detyrën e arkitektit të sistemeve të automatizuara të informacionit në fushën ushtarake, dikaster ku punon edhe sot, si funksionar i lartë i arkitekturës së ndërmarrjes (Senior Enterprise Architect). Gjatë kësaj periudhe ka kryer edhe studimet e nivelit master në The George Washington University të SHBA në fushën e manaxhimit të projekteve në administratën publike.

Për më shumë se një dekadë ai ka përfaqësuar Kanadanë dhe Ministrinë e Mbrojtjes në një nën-strukturë të Bordit të Konsultimit, Komandës dhe Kontrollit të NATO-s (NATO Consultation, Command and Control Board C3B). C3B është organizmi i lartë, politikë-bërës e shumëkombësh që këshillon Këshillin e Atlantikut Verior (North Atlantic Council - NAC).

Flasshqip.ca e uron përzemërsisht Nini Ristanin për vlerësimin e sapomarrë nga qeveria kanadeze!

© Flasshqip.ca