Komunitet

Toronto - Arti figurativ bashkon sërish në një ekspozitë krijuesit shqiptaro-kanadezë

  • Published in Komunitet

Metropoli kanadez, Toronto, do të jetë përsëri hapësira mikpritëse e një eventi të rëndësishëm kulturor shqiptaro-kanadez. Nga nesër, 20 qershor deri më 27 korrik 2023, 15 krijues shqiptaro-kanadezë të artit figurativ do të hapin një ekspozitë të përbashkët me 60 punime të zhanreve dhe teknikave të ndryshme në ambientet e The Assembly Hall Galery (1, Colonel Samuel Smith Park Drive, Etobicoke, Toronto ON M8V 4B6). Ëmërtimi i përzgjedhur për eventin nga grupi i pagëzuar prej disa vitesh “Albanian-Canadian Artists” kësaj here është “Art Without Borders”. Ndërkohë, sipas organizatorëve, Lindita Aga Meço, Robert Simoni dhe Ardian Radovicka, përurimi zyrtar do të bëhet të enjten 22 qershor në ora 18:00.

Lista e pjesëmarrësve në ekspozitën e sivjetme, me emra të afirmuar sikurse dhe emra të rinj, është si më poshtë:

Ardian Radovicka, Dea Radovicka, Dhurata Sahatçija, Elis Tarelli, Ermal Xhixha, Frida Vokshi, Genti Hali, Imelda Prifti, Kristaq Turtulli, Lindita Aga Meço, Lorida Hysenbegas, Robert Simoni, Victoria Xhixha, Vilma Saraçi dhe Ylli Radovicka.

E kontaktuar nga Flasshqip, e mirënjohura si organizatore eventesh artistike, por edhe si krijuese, Lindita Aga Meço, u shpreh ndër të tjera që ky grup artistësh, me larmi moshore, po vijnë sërish para publikut artdashës përmes një ekspozite të përbashkët në metropolin e Kanadasë, Toronto, me individualitete të spikatura qoftë në perceptimin artistik, po ashtu edhe sa i takon përqasjes individuale.

Lindita Aga Meço

Më tej në prononcimin e saj për Flasshqip ajo vazhdoi: “Ne kemi më shumë se një vit që po përgatitemi për këtë ekspozitë, duke u përpjekur që pjesëmarrja dhe niveli artistik të jetë gjithmonë në rritje. Përveç punimeve në vaj, që përbëjnë dhe pjesën më të madhe të veprave që do ekspozohen, ka artistë që do paraqiten me punime në akrilik, bojëra uji, fotografi, argjil etj. Jemi shumë të lumtur që këtë vit janë shtuar artistë të rinj dhe shpresojmë që në ekspozitat e ardhshme të kemi pjesëmarrje akoma edhe më të madhe. Dua të falenderoj të gjithë artistët, por në mënyrë të veçantë Ardian Radovickën dhe Robert Simonin, për organizimin, koordinimin dhe përfshirjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha fazave të punës përgatitore. Kjo është ekspozita e tretë që ne si grup organizojmë dhe besojmë që në të ardhmen ky lloj organizimi do vazhdojë si një traditë e bukur, përmes të cilës, artistët të kenë mundësi që jo vetëm të shkëmbejnë eksperiencat e tyre artistike, por gjithashtu të sjellim të gjithë së bashku një vlerë intelektuale të shtuar për komunitetin tonë në Toronto e më gjerë. Interesimi për dy ekspozitat e kaluara ka qenë relativisht i madh dhe shpresojmë që ky interesim të vijë gjithmonë në rritje”.

Një tjetër protagonist me të cilin komunikuam është Ardian Radovicka, inxhinieri durrsak që për vite me radhë dhe deri para pak kohësh ishte pjesë e stafit të projekteve në Departamentin e Ujësjellësit të Torontos, i ardhur enkas nga Italia, ku ai kalon pjesën më të madhe të vitit dhe ku tashmë i është përkushtuar totalisht pikturës, pasionit të tij të jetës.

Ardian Radovicka dhe Robert Simoni

“Pa dyshim që e përjetoj me emocion pjesëmarrjen dhe isha shumë i motivuar të kapërceja oqeanin pikërisht tani. Ekspozita është kurorëzimi i një pune disavjeçare dhe është hera e dytë që një event i tillë përballohet nga vetë artistët. Shpresoj gjithashtu që komuniteti shqiptaro-kanadez i biznesit ta mbështesë artin akoma më shumë, në mënyrë që të mundësohen në vazhdimësi aktivitete të tilla, në shërbim të promovimit të artit cilësor. Ne jemi me fat që jetojmë në një vend që na mundëson të ruajmë dhe promovojmë traditat kombëtare të gjuhës dhe kulturës tonë. Misioni i grupit tonë “Albanian-Canadian Artists”, është të kultivojmë dhe ruajme traditat shqiptare, kulturën dhe gjuhën, nëpërmjet promovimit të talenteve të artit figurativ. Grupi synon të hapë ekspozita çdo dy vjet”, u shpreh Radovicka.

Siç u tha më lart, kjo është ekspozita e tretë që organizohet nga ky grup krijuesish. E para daton më 16 nëntor 2018 dhe u hap në ambientet e galerisë Artusiasm, e titulluar “Frymezim i Artisteve Shqiptaro-Kanadezë”. Në të morën pjesë 23 artistë nga tri provinca, Ontario, Québec dhe Nova Scotia. E dyta daton më 1 mars 2020, pak kohë para mbylljes për shkak të pandemisë, në ambientet e galerisë së Etobicoke Civic Center, me 20 artistë pjesëmarrës nga Ontario dhe Nova Scotia dhe e titulluar “Eagle’s journey”.

Vlen të kujtohet, që ekspozita e parë e artit figurativ shqiptar në Kanada është hapur për herë të parë në Toronto, në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në atë ekspozitë patën marrë pjesë 10 artistë të daltës dhe penelit dhe koordinator i saj ishte i ndjeri Hytbi Tarelli, skulptor dhe piktor i mirënjohur i komunitetin shqiptaro-kanadez.

© Flasshqip.ca