Komunitet

Nador Bakalli: Prezenca e Erion Veliajt në Toronto më ofendon!

  • Published in Komunitet

Me datë 10 Tetor ështe lajmëruar një aktivitet ne Toronto me prezencën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Pa dashur t’u mungoj në respekt organizatorëve, prezenca e Veliajt midis komunitetit tonë në Toronto, është një ofendim i rëndë i vlerave demokratike dhe, më e rëndësishmja, atyre njerëzore.

Të nderuar miq të komunitetit, fotot dhe buzëqeshjet me Veliajn rëndojnë fort mbi shpatulla. Disa gjëra nuk duhen harruar…

Mos harroni shembjen barbare të Teatrit Kombëtar!

Mos harroni kullëzimin e kryeqytetit dhe mafien e betonit!

Mos harroni që propaganda e tij ua lind diellin nga perëndimi dhe zhduk kullat nga silueta e simboleve të qytetit për të krijuar kartolina FALLCO!

Mos harroni shkatërrimin e trashëgimisë arkitektonike dhe kulturore të kryeqytetit nga babëzia e lejeve të ndërtimit!

Mos harroni mbi 80 vilat e mrekullueshme historike të shembura në favor të ndërtimeve pa karar!

Mos harroni mbytjen e trafikut dhe ndotjen kancerogjene në Tiranë, me nivele përtej normave më ekstreme të BE-së!

Mos harroni që po shkoni për qokë tek bosi i inceneratorit të Tiranës, incenerator i cili nuk EKZISTON dhe për të cilin të afërmit tuaj që jetojnë atje kanë paguar miliona Euro, duke përfshirë tarifë fikse 80 mijë euro në ditë!

Mos harroni gjithashtu se ne të gjithë jemi këtu, në emigracion, prej politikanëve të tipit Veliaj të cilët kanë zbrazur dhe vazhdojnë të zbrazin vendin!

Dhe në fund, kur të buzëqeshni me të në foto, mos harroni fytyrën e Ardit Gjoklajt, fëmijës së pafajshëm 15-vjeçar të VRARË barbarisht në landfill-in e Erion Veliajt në Sharrë, të cilin ai e promovoi si shembull të punësimit!

Arditi ishte minoren, i punësuar ilegalisht.

E vranë duke nxjerrë bukën e gojës dhe sot e gjithë ditën nuk ka përgjegjës për vrasjen e tij.

Ju që do jeni aty, bëjeni qokën dhe pijeni edhe një kafe në kujtim të Arditit.

Foton e tij e keni më poshtë.

© Nador Bakalli