Komunitet

Publikohet libri me poezi i Vangjush Zikos “Pagani i zhgënjyer nga Perënditë”

  • Published in Komunitet

Mjeshtri i vargjeve, poeti i mirënjohur korçar, prej vitesh me banim në Mississauga të Ontarios, Vangjush Ziko, njëherazi dhe shqipërues i lirikëve më të mëdhenj rusë, vjen sërish para lexuesve me një libër të ri. Përmbledhja me poezi të zgjedhura, e publikuar këto ditë nga shtëpia botuese Argeta - LMG, Tiranë, titullohet “Pagani i zhgënjyer nga Perënditë”.

Ka qenë vetë autori, i cili përmes faqes së tij personale në rrjetin social Facebook ka ndarë me miqtë dhe dashamirësit e tij këtë lajm të rëndësishëm kulturor, jo vetëm për komunitetit shqiptar të Kanadasë, por edhe për të gjithë të pasionuarit pas poezisë në gjuhë shqipe kudo që janë.

Vangjush Ziko ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1931. Pasi kreu arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta pranë Institutit të Letërsisë “Maksim Gorki”, në Moskë. Pas kthimit në atdhe, punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i Letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Vangjush Ziko ka botuar dhe shfaqur mbi tridhjetë vepra, poezi, drama e skenarë filmash, monografi dhe përkthime.

Ja si e pershkruan poetin tonë të dashur kolegu i tij në Vancouver, Vangjush Saro: “Vangjush Ziko është një emër i dashur i poezisë shqiptare, është një figurë e rëndësishme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare. Ai është një lirik i lindur, që ka vendin e vet të rëndësishëm në poezinë shqipe dhe që ka sjellë e vazhdon të sjellë kontribut të vyer në krejt hapësirat e kulturës sonë kombëtare. Mbi të gjitha këto, mbase jo më pak e rëndësishme është që ai na ka dhënë modelin e një shkrimtari profesionist, që ka ditur ta ndërtojë e përcjellë me seriozitet, me thjeshtësi e madhështi njëherësh, jetën dhe krijimtarinë e tij”.

“Pagani i zhgënjyer nga perënditë” i prezantohet lexuesit me shënimin e mëposhtëm nga vetë autori:

“Përzgjedhja e poezive nga vetë autori është delikate dhe me përgjegjësi ndaj vetë krijimtarisë dhe lexuesit. Të seleksionosh krijimtarinë tënde, do të thotë të vihesh në pozitën e një specialisti gjakftohtë e të paanshëm ndaj vetvetes. Një paradoks i vërtetë!

Ka krijues, që mbeten njëlloj gjatë gjithë krijimtarisë së vet deri në fund. Të tjerë, që kërkojnë shtigje të reja tërë jetën. Jo për snobizëm! Nga kërshëria. Nga ndjeshmëria e madhe ndaj ndryshimeve, që pëson koha shoqërore, artistike, estetike, filozofia e jetës. Dëshira për të ecur me hapin e kohës. Ndodh që edhe krijuesi të kalojë nga vendi ku ka lindur, në një vend, i cili kërkon ta ringjizë.

Vetëm talenti nuk mund të ringjizet, ta ndërrojë genin e vet.

Për këtë vëllim zgjodha ato krijime, që kanë rrënjën dhe lulesën e përbashkët me trungun e poezisë sime, të shkruar gjatë gjashtëdhjet e katër viteve të botimit të krijimtarisë sime me varg metrik apo të lirë. Janë, kryesisht, poezi të shkruara dhe të botuara në gjashtë vëllimet e njëzet viteve të fundit, në “fluturimet” e mia poetike midis Shqipërisë dhe Kanadasë, si dhe nëpër kopshtet e ndryshme poetike botërore”.

Flasshqip.ca e uron përzemërsisht autorin për librin e ri.

© Flasshqip.ca