Publikohet “Fata Morgana”, vëllimi i ri poetik i Artan Gjyzel Hasanit
- Published in Komunitet
Doli nga shtypi para pak ditësh vëllimi poetik “Fata Morgana”, me autor poetin e mirënjohur me banim në Toronto, Artan Gjyzel Hasani. Publikimi sërish është bërë nga Shtepia botuese M&B. “Fata Morgana”, përveçse në libraritë kryesore të kryeqytetit, do të ekspozohet edhe në stendën e M&B në Panairin e Librit, që do të hapet së shpejti në Tirane, nga 15 deri më 19 nëntor.
I pyetur për titullin e vëllimit, vetë autori shpjegon: “Fata Morgana është një dukuri detare, një formë komplekse mirazhesh mbi vijën e horizontit që për t’u realizuar kërkon jo vetëm ujin e detit apo avullin e shkretëtirës, jo vetëm dritën, por edhe luhatjet e temperaturës deri në atë pikë kur në atmosferë krijohet një e çarë, një korridor krejt i veçantë dhe i pazakontë, që mundëson përthyerjen e dritës, herë në forma magjike, herë në forma paradoksale, herë në formën origjinale të objektit të pasqyruar e herë si një deformim tërësor dhe krijim i një imazhi krejt tjetër. Objekti i preferuar i Fata Morganës janë anijet. Fundja edhe poetët anije të një lloji të veçantë janë, shpesh pa spirancë”.
“Fata Morgana” e Artan Gjyzel Hasanit, mes avujve të ngrohtë dhe dritave të errëta duket se e ka gjetur temperaturën e duhur poetike të shpirtit për të krijuar shtegun e domosdoshëm depërtues drejt imazheve të përmbysur magjikë dhe absurdë të vetes dhe tjetrit. Poezitë e librit, janë krijime që shembin barrierën absolute të unit në atë masë, që ndonjëherë të bëjnë të urresh veten të pasqyruar te tjetri dhe të duash tjetrin që fshihet brenda teje, shpesh pa dijeninë tënde.
Ndërkohë, të shtunën 18 nëntor 2023, në orën 18:00, në një nga sallat e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, do të zhvillohet një takim promovues për “Fata Morgana”, ku i pranishëm do të jetë dhe vetë autori.
“Pas dhjetë vjet mungese në Shqipëri, e gjykova si detyrim moral praninë time në këtë panair, jo vetëm ndaj librave dhe botuesit tim Bujar Karoshi, por edhe ndaj lexuesve dhe dashamirësve të asaj që unë shkruaj… Takohemi atje…”, ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook Artan Gjyzel Hasani.
Në pritje të intervistës pas kthimit nga Shqipëria, Flasshqip.ca e uron përzemërsisht autorin për publikimin e tij të ri.
© Flasshqip.ca