Flurans Ilia “zbret” me “Katër palë flatra” në Panairin e 26-të të Librit në Tiranë
- Published in Komunitet

Pas përmbledhjes poetike “Hapësirë midis dy notave” të publikuar vitin e kaluar, shkrimtari shqiptaro-kanadez me banim në Montréal, Flurans Ilia, këtë vit i qaset lexuesit shqiptar me përmbledhjen e tij në prozë të titulluar “Katër palë flatra”, ku ai ka përfshirë tregime të shkruara përgjatë dekadës 2010-2020.
Si njohës ndër vite të krijimtarisë së këtij autori me origjinalitet dhe individualitet të spikatur, që është edhe një bashkëpunëtor i rregullt kulturor i FlasShqip, na takon si redaksi t’i themi dy fjalë lexuesit tonë e më gjerë.
Flurans Ilia tashmë mban autorësinë e tre vëllimeve me tregime. “Baraka e kopshtit të mollëve” (Uegen, 2003), “Thembra e kujtesës” (Ideart, 2008), “Katër palë flatra” (Jozef, 2023).

Fluransi është një tregimtar, i cili vazhdimisht ka sjellë dhe vazhdon të sjellë me prurjet e veta pranë dashamirësve të letërsisë, jashtë dhe brenda Shqipërisë, forma unike ndërtimore të rrëfimit duke ndërthurur teknika narrative nga më tërheqëset për shijen e një lexuesi të kultivuar. Kjo veçori e bën gjuhën dhe stilin e tij të kenë një forcë koherente në raport me kohën.
Për studiuesin e njohur të botës së letrave shqip, Dr. Ardian Kyçyku, “Flurans Ilia bën pjesë në atë grup gjithnjë e më të vogël shkrimtarësh që besojnë me gjithë shpirt se letërsia mund të ndryshojë fatin e njeriut, ose edhe të zbusë, ta bëjë më njerëzore të përditshmen. Pas një përvoje të pazakontë udhëtimesh njohëse në krejt rruzullin dhe në gjuhët e tij kryesore, Ilia njeh me rrënjë natyrën e copëzuar dhe shpërbërëse të pasmodernitetit dhe synon ngjizjen e harmonishme të universit në vetëdijën e lexuesit pikërisht përmes copëzimit të lëndës artistike...”
Ndërsa sipas poetit Petrit Nika, “Flurans Ilia prezantohet me vetëdijen e funksionimit të dyzuar të botës dhe elementëve të botës që përbëjnë shpirtin e saj, vetë ekzistencën. Njëra prirje është ajo që deklarohet si modeli i së mirës prej mijëra vjetësh përmes kodeve të institucionalizuara, dhe prirja tjetër është e kundërta, pamja krejt e kundërt, shijimi i rrjedhës mbrapsht. Poeti kupton thelbin an-atman të botës, ku çdo gjë është e papërkryer, çdo gjë është në lëvizje dhe në përkohshmëri të paqëndrueshme. E duke qenë i bindur se tashmë licentia poetica është në favor të tij, provon rrjedhën e kundërt të gjërave, atë paradoksalen, të papajtueshmen me kodin e ligjërimit normal...”

Përmbledhjen më të re me tregime të Fluransit “Katër palë flatra”, do ta gjeni këto ditë në stendën e Botimeve Jozef, në Panairin e Librit, Tirana 2023. “Katër palë flatra” është shkruar në atë lloj forme ku çdo tregim i qëndron krah tregimit të radhës, duke krijuar një vijimësi unike. Është një udhëtim psikologjik i njeriut të ditëve tona, të kapur në ngërçin e një moderniteti arkaik, çka e bën librin në vetvete të jetë një mëvetësi në morinë e librave të shëndetshëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Lexues të Tiranës mos e humbisni rastin. Nuk keni për t’u zhgënjyer. Pas panairit, librin do ta gjeni edhe në libraritë e kryeqytetit apo qyteteve të tjera.
Flasshqip e uron përzemërsisht autorin me rastin e botim të librit të tij më të fundit. Uron gjithashtu që “Katër palë flatra” të gjejë sa më shpejt lexuesin e fort kërkuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kanada e kudo ku jetojnë shqiptarë.
© Flasshqip.ca
Fotot: Kortezi Flurans Ilia












