Lili Cingu ishte e lindur për skenën - Nga Përparim Kabo
- Published in Komunitet

Përparim Kabo
Shuhet Lili Cingu, balerina e parë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Eleganca e saj me atë shtat të lartë dhe të brishtë, krijonin figura aq të mëvetshme.
Raporti i këmbëve me duart dhe me trupin, lëvizjet e kokës, syve dhe në disa raste objekteve që mbaheshin në duar, krijonin koreografi mahnitëse.
Ishte e lindur për skenën!
Vallja jonë burimore kaloi nga një veprim spontan folklorik në art mirfilli falë saj dhe të gjithë ansamblit.
Iku edhe një artiste klasi që ndërtoi aq shume në skenë duke percjellur emocion dhe kënaqësi estetike.
Edhe në baletin klasik po të ishte investuar me të dhe për të, jam me bindjen se do kishte kontribute të mëdha. Ndërtimi i saj antropometrik, ia falte këto të dhëna fizike paraprake (në veçanti gjymtyrët e gjata) për të qenë një balerine e klasit botëror. Arti femeror ka më shumë sharm, kjo sepse universi femëror i ka të gjitha ngjyrat dhe ndjenjat.
Shpesh e shihja në rrugë kur ecte. Flladiste dhe e bënte ajrin të dansonte.
Do duhen vite që një e dytë si ajo të ngjitet në skenë. Arriti majat dhe tani ikën si frymë kupaqiellit.
Qofsh e Parajsës Lili Cingu! Skena pa ty është shumë e trishtë!
© Përparim Kabo - 6 shkurt 2024