Aktivitete

Jetë aktive komunitare në Regina-Saskatchewan

Në kuadër të fushatës "I am albanian, let's grow together", anëtarë të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” në Regina-Saskatchewan, i janë bashkëngjitur ditët e fundit edhe aktiviteteve të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me komunitetin tonë por edhe me komunitetet e tjera.

Si konkretizim i multikulturalizmit kanadez, ideja dhe qëllimi i fushatës është promovimi i kulturës, gjuhës, traditave, figurave historike shqiptare dhe bashkëjetesës komunitare dhe kualitative që shqiptarët mund të bëjnë me komunitete me prejardhje, besim, bindje apo edhe karakteristika të tjera ndryshe nga ne.

Përfaqësues të Shoqatës “Iliria” ishin të pranishëm javën e kaluar në ndihmë të komunitetin me prejardhje indiane për organizimin e pavionit të tyre me rastin e Mosaic 2018. Në aktivitet, përfaqësuësit shqiptarë u paraqitën me bluzat e fushatës "I am albanian, let's grow together", gjë që ngjalli kureshtjen e pjesëmarrësve me të cilët u bë e mundur të flitej dhe tregohej për Shqipërinë dhe shqiptarët, pa harruar që dy vendet tona i lidh emri i Shenjtores Nënë Tereza.

Kryetari i shoqatës Lejdi Ago, në një komunikim me FlasShqip ka pohuar se një nga objektivat e “Iliria” është edhe kontributi vullnetar në aktivitete të ndryshme në mënyrë që të behet i mundur një vizibilitet më i madh për komunitetin shqiptar. 

Gjithashtu, të dielën e kaluar është zhvilluar edhe ndeshja e fundit e sezonit e turneut të organizuar nga South Regina Community Soccer ku shoqata ka përfaqësues në Bordin Drejtues dhe ku merr pjesë një ekip futbolli i fëmijëve nën 8 vjeç i drejtuar nga një anëtar i saj. Anëtarë të tjerë të shoqatës ishin prezent dhe në fund të takimit ofruan pizza dhe pije për fëmijët e të dyja ekipeve. Aktiviteti sportiv i ditës së diel kishte për qëllim edhe diskutimin për mënyrën se si do të organizohen ekipet e futbollit dhe volejbollit për sezonin e ardhshëm.

FlasShqip.ca