Aktivitete

Calgary: Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze

Të shtunën e kaluar, më 4 gusht, në Librarinë Fish Creek, Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në Calgary, mbajti Asamblenë e Përgjithshme, e para pas asaj të fillimvitit kur u zgjodhën organet e reja drejtuese. Gjatë takimit, drejtuesit e shoqatës informuan anëtarësinë për aktivitetin gjashtëmujor duke parashtruar gjithashtu objektivat për pjesën e mbetur të vitit.

Në raportimin e kryetarit të shoqatës, Ilir Kuqi, u paraqit dhe bilanci i veprimtarive të realizuara me sukses si organizimet me rastin e Ditës të Pavarësisë së Kosovës në muajin shkurt, Ditës ndërkombëtare të grave 8 Marsit, turneu i futbollit “Kupa e shqiptarit” si dhe pikniku në mbyllje të vitit shkollor për nxënësit që vijuan shkollën shqip. Gjatë raportimit u shprehën falenderime dhe vlerësim për bizneset shqiptare që kanë ofruar donacione për shoqatën si Royal Roofing, Drini Construction, Eltik Painting si dhe për donatorët e përhershëm, Europe Bakery dhe Toscana Restaurant.

                 Ilir Kuqi

Në fjalën e tij kryetari Kuqi ka shpalosur dhe synimin madhor të shoqatës, që është ngritja brenda një periudhe 5 deri në 10 vjet e Qendrës komunitare shqiptare në Calgary, duke ju referuar dhe shembullit të shoqatës së Hamiltonit apo iniciativës të shoqatës së Torontos. Ky projekt natyrisht kërkon një plan të detajuar dhe mbështetje nga komuniteti.

Bordi prezantoi dhe të dhënat në lidhje me buxhetin e shoqatës, e cila ka arritur me sukses të akumulojë fonde të mjaftueshme, jo vetëm për mbarëvajtjen e aktivitetit të saj, por edhe për funksionimin e rregullt të shkollës shqip.

Kryetarja e Bordit të shkollës shqip “Foleja e Shqiponjave”, Dr. Adriana Fishta-Bejko, paraqiti gjithashtu plan-programin për vitin e ardhshëm shkollor që do të jetë plot aktivitete. Lëndët që nxënësit do të ndjekin janë gjuha shqipe, historia dhe kultura shqiptare por edhe kënga dhe vallja.

Në takim bordi drejtues paraqiti gjithashtu kalendarin e veprimtarive deri në fund të vitit 2018. Aty përfshihen një turne golfi, fondet e të cilit do të shkojnë në favor të shkollës shqip, një turne futbolli në salla të mbyllura si dhe organizimi më 24 Nëntor i aktivitetit me rastin e Festës Kombëtare. Ndërkohë, u bë e ditur se në muajin tetor, në Festivalin e Filmit në Calgary do të shfaqet sërish një film shqiptar.

@FlasShqip.ca