Aktivitete

Takim i “Albanian Canadian Excellence Society” me Ministrat e Diasporës së Shqipërisë dhe Kosovës

Sipas një njoftimi për mediat, dërguar Flasshqip.ca, “Albanian Canadian Excellence Society” mikpriti në Toronto, Ministrin e Diasporës së Shqipërisë Z. Pandeli Majko dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Diasporës së Kosovës, Z. Dardan Gashi dhe delegacionet shoqëruese. Në pritje mori pjesë dhe Ambasadori  i Republikës së Shqipërisë në Kanada, Z. Ermal Muca dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Z. Lulzim Hiseni. Takimi, u mbajt më 8 Mars 2018, në ambientet e “The University Club of Toronto”, në Toronto, Ontario. ACE Society u perfaqësua nga anëtarë të Bordit Drejtues, këshilltarë ekzekutivë, si dhe drejtues të programeve dhe anëtarë të tjerë. Pas përshëndetjeve dhe prezantimit të shkurtër të të gjithë pjesëmarrësve në takim, Z. Ilir Azizi, kryetari i shoqatës ACE, bëri një prezantim te fokusuar tek vizioni, qëllimi dhe një histori të shkurtër të programeve dhe arritjeve të ACE që nga themelimi në Maj 2015. Znj. Denisa Balla, nën-kryetare e ACE, foli për kapacitet dhe aftësitë organizative të ACE.  Ajo theksoi afirmimin, mbështetjen dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të shqiptarëve në Kanada, dhe ndihmesën që mund t’i jepet Shqipërisë apo Kosovës në këtë kuadër. Z. Olton Hysenbegas, anëtar i bordit drejtues te ACE, prezantoi disa nga prioritetet strategjike të ACE si: konsulenca profesionale, lobimi në mbeshtetje të politikës kombëtare dhe mbarëkombëtare si dhe promovimi i kulturës shqiptare në Kanada. Nga ana e tyre, të dy ministrat, parashtruan disa nga aspektet e strategjive dhe planeve të qeverisë Shqiptare dhe të Kosovës per angazhimin e “trurit” jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe mënyrat për të rritur dhe forcuar lidhjet dhe urat e bashkëpunimit. U përfocua dëshira e ndërsjelltë, për të  qenë në kontakt të vazhdueshëm nëpërmjet përfaqësuesve të qeverive përkatëse, këtu në Kanada, por dhe direkt me ministritë përkatëse. Takimi, u pasua nga një darkë e shtruar nga ACE Society, në nder të delegacioneve nga Shqipëria e Kosova. ACE mbetet besimplotë, në forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën, ku përfitues do të jenë shqiptarët, si në Shqipëri e Kosovë, ashtu dhe në Kanada.