Aktivitete

Toronto-Kryeparlamentari i Maqedonisë Talat Xhaferi takohet me përfaqësues të komunitetit shqiptar

Në kuadër të sesionit të 64-t të Asamblesë Parlamentare të NATOS-s që mbahet në Halifax të Nova Scotia-s nga 16 deri më 19 Nëntor, ndodhet në Kanada edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi si dhe përfaqësues të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kosovës. Z. Xhaferi figuron edhe në listën e folësve kryesorë të aktivitetit. Ndërkohë, ai ka kryer dje një vizitë të shkurtër në Toronto, ku është takuar edhe me disa përfaqësues të komunitetit shqiptaro-kanadez nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Takimi është zhvilluar nën kujdesin e Misionit Katolik Shqiptar “E Shenjta Nënë Tereza” dhe nën drejtimin e famullitarit Dom Ambroz Demaj, i cili i ka uruar mirëseardhjen politikanit të lartë shqiptar nga Maqedonia.

Kryeparlamentari Xhaferi ka bashkëbiseduar më të pranishmit rreth situates së shqiptarëve në Ballkan dhe sfidave me të cilat duhet të përballen shqiptarët e Maqedonisë që kanë nje rol dhe kontribut të veçantë në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. Atij i është dorëzuar edhe një Çertifikatë mirënjohje nga Misioni Katolik Shqiptar i Torontos. Biznesmenët Paulin Marku dhe Hamdi Lataj dhuruan secili nga 5.000 dollarë në favor të Shtëpisë Muze, ku është zhvilluar Kongresi i Manastirit më 1908, ngjarja më e rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë që përcaktoi fatin e gjuhes shqipe të shkruar.

Në takim kanë qenë gjithashtu të pranishëm Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, Donat Syla, kryetari i SHBSHK-Toronto, Ramazan Këllezi si dhe Imami i Xhamisë Shqiptare të Torontos Adnan Berbatovci.

Talat Xhaferi e drejton Parlamentin e Maqedonisë prej muajit Prill të vitit 2017. Me formim dhe karrierë ushtarake, ai ka ardhur në politikë nga radhët e BDI dhe ka qenë më parë edhe Ministër i Mbrojtjes. Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me pseudonimin “Komandant Forina”. Forina është një fshat pranë Gostivarit ku ai ka lindur në vitin 1962.

@Flasshqip.ca