Aktivitete

‘Art kokëposhtë’ ose ti shikosh gjërat ndryshe si Anila Erindi - Nga Ajet Nuro

Ndonëse nuk jam specializuar në arte figurative, madje jam pak larg nga të qenit kritik arti, nuk mund ta mohoj se më pëlqen arti dhe sidomos fotografitë. Por, arti i bukur, nuk besoj se është bërë për kritikët por për shumicën, pra për ne artdashësit e thjeshtë. E pra, isha i ftuar në fundjavë në një përurim apo “vernissage” si i thonë francezët, të ekspozitës së Anila Erindit në Montréal.

I ndodhur aty, e para gjë që të bën përshtypje janë fotot të vendosura me kokë poshtë. Titulli i ekspozitës “Upside down” e thotë, dhe vizitori duhet të jetë paraprakisht i parapërgatitur e megjithatë ... nuk i shpëton dot atij tundimit për të kthyer kokën “upside down” për të krahasuar nëse imazhi duket më bukur me kokën lart.

Pasi mësohesh me “kokë-poshtësinë” e imazheve fillon dhe shijon ngjyrat, dritën dhe pamjet. Shumë prej imazheve nuk mund të kenë kuptim veç ashtu me kokë poshtë ...  Ajo që të bën përshtypje në imazhet e vendosura në ekspozitë janë ngjyrat e gjalla sidomos ngjyra blu, ngjyra e horizonteve, ngjyra që duket mes reve apo mes qiellgërvishësve të Montreal-it, qytetit që është i pranishëm në fotot e Anilës. Në fotografitë e ekspozuar nuk mungon drita, që duket se ia shton poezinë pamjeve dhe e bën edhe më të gëzuar atmosferën që sjellin ato. Një gjë tjetër që të bën përshtypje është edhe printimi i fotografive. Ato gati duken si piktura dhe kjo i jep edhe më shumë bukuri pamjeve të zgjedhura.

Përveç anës artistike të ekspozitës, më la mbresa të veçanta pjesmarrja e vizitorëve që ishte jo vetëm nga Montreali, por dhe nga Toronto dhe Ottawa. Kjo tregon vlerën dhe ndikimin që ka kjo artiste e re tek rrethet artdashëse të komunitetit tonë. Me disa nga miqtë e autores që erdhën nga larg, munda të bisedoj pasi u ndodhëm në të njëjtën kohë aty dhe ata më folën me fjalët më të mira për ekspozitën.  “Eshtë diçka e veçantë” - u shpreh Eranda Zoga nga Toronto. Po ashtu u shprehën edhe shoqet e saj.

Uroj që të kemi rast sërish të shohim edhe ekspozita të tjera nga kjo artiste e re, por pse jo edhe nga autorë të tjerë të komunitetit tonë vital.

Montréal, 4 Nëntor 2019