Aktivitete

Ambasadori Muça viziton shkollat shqipe në Hamilton dhe London

Nga: Shani Pnishi

Ambasadori i Republikës Shqipërisë në Kanada Ermal Muça, vizitoi ditët e fundit shkollat shqipe në Ontarion e jugut (Hamilton dhe London) pikërisht në momentin e fillimit të semestrit të ri për vitin 2018. Fillimisht ai u ndal në qytetin e Hamiltonit e dhuroi për të vegjëlit tekste shkollore, fletore pune, si dhe kalendarë me simbole të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu duke shënuar kësisoj fillimin e veprimtarive në kuadër te vitit të Skënderbeut.

Ambasadori Muça shprehu mirënjohje dhe vlerësim për mësuesen Ardita Qeriqi Morina, kryetarin e Shoqatës Refki Sertolli, ekipin e tij, prindërit, autoritetet kanadeze dhe të gjithë ata që kontribuojnë në mbarëvajtjen e shkollës që nga themelimi më 2013. Në fjalën e tij kryetari i Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, duke falenderuar ambasadorin për prezencën, kujtoi faktin që libra kishte sjellë edhe paraardhësja në këtë detyre, ish-ambasadorja Elida Petoshati me bashkëpunëtorët në vitin 2015, libra me të cilat është punuar deri më tani. Kjo traditë në vazhdimësi është  shenjë e përkujdesjes nga ana e Ambasadës në favor te kultivimit të identitetit shqiptar tek fëmijët e emigranteve shqiptaro-kanadezë.

Pas Hamiltonit, ambasadori Muça vizitoi qytetin e Londonit ku prej shtatorit të vitit të kaluar, falë angazhimit të aktivistëve të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze "Iliria" të këtij qyteti ka filluar mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Me këtë rast duke dhuruar sërish libra dhe kalendarë, ambasadori Muça  përgëzoi në veçanti mësuesit Besa Mulaku dhe Eris Tafaj si dhe kryetarin e Shoqatës “Iliria”, Besnik Rexhvelaj e bashkëpunëtorët e tij, duke i vlerësuar të gjithë për mundësinë që u kanë ofruar fëmijëve shqiptarë për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Duhet theksuar se midis librave të dhuruar për shkollat shqipe ishte dhe Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, dërguar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.