Aktivitete

A ka më të bukura se Fluturat tona? - Nga Nador Bakalli

Sot pata kënaqësinë të shijoja në Toronto filmin dokumentar "Fluturat" të kineastit dhe regjisorit të shquar, Z. Bujar Alimani.

21 vajza të reja, 21 Flutura, rritur në Kampin e Internimit në Gradishtë, luftuan dhe mposhtën errësirën.

Ky film është një kumt, një kumt, që nëpërmjet talentit të realizuesve, lartëson si duhet këmbënguljen e vetë jetës. Jeta e vajzave është një dëshmi e gjallë e triumfit të ngjyrave mbi katranin komunist.

A u plagosën Fluturat? Sigurisht që po. Por, 21 vajzat janë Fluturat tona dhe Fluturat tona nuk ia dorëzojnë kurrë ngjyrat e tyre bojë-zezës komuniste.

Edhe pse llumi komunist ua mbajti këmbët me vite të zhytyra në kënetë, ai kurrë nuk arriti të zbehë ngjyrat e krahëve të tyre. Fluturat tona fluturuan krenare. Nuk ka çnjerëzim që i shëmton krahët e tyre. Ato janë më burrnesha se të gjithë burracakët komunistë të marrë së bashku dhe do të vazhdojnë të ngjyrosin jetën e familjeve dhe shoqërisë tonë.

Zoti i dhëntë grave tona forcë dhe i shpërbleftë me çdo të mire!

Fluturat tona janë më e mira e shqiptarisë tonë!

©Nador Bakalli