Njoftime

Bashkëpunim Kosovë-Kanada me fokus emigracionin

Takime të frytshme këtë fundviti mes Ambasadorit Hiseni dhe Ndihmës-Zëvendësministres për Emigracionin në Kanada MacDonald. Në fokus, programe punësimi sezonale për punëtorët nga Kosova si dhe ndihmesë për studentët nga Kosova.

Formimi europian i ambasadorit të Kosovës i vjen në ndihmë komunikimit publik të arrirë, arsye këto që e bëjnë atë të shënojë suksese në takimet diplomatike në favor të Kosovës.

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kanada, Ambasadori z. Lulzim Hiseni dhe stafi, pritën për vizitë Ndihmës-Zv.Ministren për Emigracion të Kanadasë znj.Lori MacDonald, shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme për Menaxhimin e Çështjeve, si dhe Drejtorin për Rrjetin Ndërkombëtar të Departamentit/Ministrisë së Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë-njofton Ambasada e Kosovës në Kanada.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, në fushën e imigracionit, me theks primar, tek programet e punësimit sezonal për punëtorët nga Kosova; programet mbështetëse të imigracionit për kompanitë që zotërohen nga komuniteti diasporës nga Kosova në Kanada; si dhe aspektet teknike për të ndihmuar studentët nga Kosova të cilët janë të interesuar të studiojnë dhe punojnë në Kanada.

“Me miqtë kanadezë -shprehet Ambasadori Hiseni, ramë dakord që Ambasada të caktojë një koordinator për këto programe që të informohet në detaje në një sesion të dizajnuar enkas për të ndihmuar njerëzit e interesuar në programet e theksuara më lart”.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada ka pranuar kërkesa të shumta, nga komuniteti i diasporës për ndihmë sidomos nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës, në lidhje me politikat e imigracionit në Kanada, të cilat kanë të bëjnë me punësimin e punëtorëve të kualifikuar nga Kosova.