Njoftime

Çfarë nuk shkon me ftesën e Samitit II të Diasporës?

Qeveria shqiptare përmes përfaqësive diplomatike ka filluar të shpërndajë ftesat për në Samitin e Dytë të Diasporës. Siç është vërejtur nga një pjesë e ftuar e anëtarëve të diasporës shqiptaro-kanadeze, të cilët kanë kontaktuar me FlasShqip, ftesa nuk ka tiparet teknike të një ftese. Sipas tyre, kjo nuk është serioze. Disa syresh as nuk do të denjojnë t’i përgjigjen kësaj ftese që i ngjan një posteri salle.

Megjithatë, siç bën me dije për portalin FlasShqip Ambasada shqiptare në Ottawa, “kjo është një ftesë publike paraprake, e cila iu është përcjellë edhe nëpërmjet postës elektronike zyrtare të ambasadës një mase të konsiderueshme të bashkëatdhetarëve në Kanada. Kjo ftesë, iu është dërguar drejtuesve të organizatave të diasporës, sipërmarrësve të suksesshëm, përfaqësuesve të spikatur të diasporës sonë dhe me histori suksesi në fusha të ndryshme si edhe aktivistëve të cilët kanë kontribuar e vijojnë të kontribuojnë në jetën komunitare, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, promovimin e Shqipërisë si edhe të kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar”.

“Ndërsa të interesuarit,-shprehet për FlasShqip Ambasada shqiptare në Kanada, mund të vizitojnë edhe faqen zyrtare të Samitit ku, krahas të tjerash, ofrohet mundësia e regjistrimit online”. 

Por çfarë do të bëjnë pjesëmarrësit në Samit? A ka një program të detajuar, i cili do t’u shpërndahet pjesëmarrësve? Deri në momentin e komunikimit tonë me ambasadën, ende nuk është përcjellë Programi zyrtar mbi Samitin e dytë të Diasporës, por ajo që dihet është se ky program pritet të përcillet në vijimësi nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Bazuar edhe në eksperiencën e Samitit të Parë, sipas Ambasadës shqiptare në Ottawa, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin apo sipas rastit edhe të kontribuojnë në një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish të planifikuara gjatë Samitit të Dytë, panelet e diskutimit, vizitat në vendet kulturore dhe historike, ekspozitat dhe panairet e ndryshme.    

Prandaj, pjesëmarrës bëhuni gati që përveç kostumit, të mbani dhe një palë atlete me vete për t’iu ngjitur kalave që nuk keni patur rastin t’i vizitoni ndonjëherë…nën shoqërinë e Majkos.

©FlasShqip