Njoftime

Një rrugë në Ottawa me emrin Kosovë

Një rrugë në Ottawa do të mbajë së shpejti emrin Kosovë. Ky lajm konfirmohet nga Ambasadori i Republikës së Kosovës z.Lulzim Hiseni pas takimit të tij me Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit kanadez z.Jim Watson.

Ambasadori Hiseni shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Bashkinë e Otavës, e cila ka listuar në emrat e rrugëve të kryeqytetit kanadez edhe rrugën “Parasol Kosovo”. Ky projekt i Ambasadës së Kosovës, është shprehje e mirënjohjes ndaj popullit Kanadez për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë luftës në Kosovë, ku me anë të “Operacionit Parasol” Forcat e Armatosura Kanadeze sollën në Kanada rreth 7000 refugjatë nga Kosova.

Duke e përgëzuar kryetarin e Otavës për mandatin e tij të ri, Ambasadori Hiseni gjeti rastin të diskutonte rreth mundësive të projekteve të binjakëzimit ndërmjet qytetit të Otavës dhe Komunës së Prishtinës.