Orkestra e Vancouver-it në 24 mars në Shkodër
Turneu i koncerteve të West Coast Symphony Orchestra nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur shqiptaro-kanadez Bujar Llapaj, ka ndalesën e rradhës në Shkodër. Nisur nga situata e përmbytjeve në këtë qytet, drejtuesit e orkestrës kanë vendosur ta quajnë këtë koncert "Përkrah jush". Orkestrantët do të dhurojnë dhe gjithashtu do të mbledhin fonde në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet. Nën fjalët e humanistes së madhe shqiptare Nënë Terezës, “Bëni gjëra të vogla por me zemër të madhe!'- Orkestra e Vancouver-it fton publikun shkodran të bëhet pjesë aktive në këtë aktivitet artistik dhe bamirës në datën 24 mars në teatrin “Migjeni”.
Kujtojmë se ky është turneu i dytë që zhvillohet në hapësirat shqiptare të Ballkanit me qëllimin e njohjes direkte dhe këmbimit të kulturave si një mjet i fuqishëm për afrimin dhe miqësimin e popujve.
©FlasShqip.ca












