Njoftime

Toronto - Konsullata e Kosovës kremton 12 vjetorin e Pavarësisë

Në datën 18 Shkurt në Toronto, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës do të kremtojë në një pritje zyrtare 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë event pritet të marrin pjesë personalitete të njohura të jetës publike e politike kanadeze, një pjesë e trupit diplomatik të akredituar në Toronto, përfaqësues të mediave, bashkëatdhetarë shqiptarë me banim në Toronto e rrethina si dhe përfaqësues të shoqatave e organizatave të komunitetit shqiptaro-kanadez

Përmes një komunikimi të drejpërdrejtë me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Donat Syla, Flasshqip eshtë informuar që me rastin e Ditës së Pavarësisë është përgatitur edhe një program i larmishëm artistik në bashkëpunim me disa nga interpretuesit më aktivë dhe më të njohur të komunitetit shqiptar të Torontos si Trio Famus, nën drejtimin e Jani Papadhimitrit, dueti i bashkëshortëve Entela Galanxhi dhe Qazim Kallushi si dhe Grupi i valleve “Shqiponjat e vogla” nën drejtimin e koreografit Ramazan Këllezi.

Pjesëmarrësit në event, ndër të tjera do të kenë mundësinë të shijojnë një fragment nga Opera e kompozitorit italian Antonio Vivaldi kushtuar Gjergj Kastrioti Skenderbeut si dhe krijime të tjera nga repertori i muzikës shqiptare, në mes të cilave edhe këngën “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi, që ishte edhe vepra më e preferuar e mbretëreshës së këngës tradicionale shqiptare, Nexhmie Pagarusha, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë në Prishtinë.

©Flasshqip.ca