Njoftime

Nata e Madhe e Pashkës-Papa Françesku pagëzon dhe një shqiptar

Besimtarët katolikë festuan Natën e Madhe të Pashkës. Papa Francesku e kremtoi atë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan duke drejtuar Meshën e Shenjtë. Riti nisi me bekimin tradicional të zjarrit të ri, në tremen e Bazilikës, ndjekur nga procesioni me qiriun e Pashkëve dhe Exultet, kumt gazmor, që këndon ngadhënjimin e Zotit të Ngjallur mbi vdekjen e mbi errësirën e botës.

Gjatë kësaj Meshe, Papa Françesku pagëzoi në besimin e krishterë 8 të rritur, 3 gra dhe 5 burra të moshës nga 27-52 vjeç mes të cilëve dhe një shqiptar. Shqiptari që u pagëzuar në besimin e krishterë nga Ati i Shenjtë quhet Kastriot dhe është 27 vjeç. Së bashku me të u pagëzuan, 4 italianë, 1 nigerian, 1 amerikan si dhe një shtetase peruviane.

Një histori të veçantë mes 8 personave që morën sot bekimin e krishterë të Papës ishte dhe ajo e emigrantit nigerian John Ogah, 31 vjeç, i njohur dhe si heroi që në natën e 27 shkurtit 2017 vuri jetën në rrezik duke u përleshur me një person të armatosur që po tentonte të grabiste një supermerkatë në një lagje në periferi të Romës.

Nuk është hera e parë që në Meshën e Natës së Madhe të Pashkës Papa Francesçu pagëzon një shqiptar.  Në Pashkën e vitit 2016, Ati i Shenjtë pagëzoi në besimin e krishterë dy gra shqiptare, Bernarda e Dasada Dervishi 30 e 27 vjeç.

Riti i pagëzimit në besimin e krishterë të personave të rritur është një ceremoni tradicionale e festës së Pashkës katolike. Gjatë kremtimit, besimtarët u lutën posaçërisht për familjet, të varfërit, të vuajturit e, sidomos, për barinjtë, që të kenë etje për shëlbimin e çdo njeriu.

Burimi: Radio Vatikani