Toronto-Artistë dhe prindër shqiptarë mbështesin Festivalin e talenteve të rrugës Marlee
Marlee's Got Talent ose thënë ndryshe në shqip, Festivali i talenteve të rrugës Marlee, është një nga koncertet vjetore me pjesëmarrje të gjerë fëmijësh të talentuar shqiptarë që jetojnë në Toronto e rrethina. Për herë të pare, ky aktivitet ka startuar në vitin 2014 me bashkëpunimin e prindërve e mësuesve dhe që prej asaj kohe është kthyer në traditë.
Organizatore e Festivalit dhe themeluese e drejtuese e korit të fëmijëve është pedagogia e muzikës Ina Xoxa. Në mbeshtetje të saj dhe aktivitetit numërohen dhe artistë të tjerë shqiptarë. E para kompozitorja dhe orkestruesja Entela Galanxhi, e cila ka përshtatur për artistët e vegjël më shumë se 50 këngë të njohura nga tradita shqiptare apo ajo botërore. Të tjerë muzikantë mund të përmenden pianistët Rudin Lengo e Sofia Papadhimitri apo pedagogia Mara Çako e dirigjenti Qazim Kallushi. Pasqyra Shqiptare dhe Studio LGH Art Photography kanë mbështetur gjithashtu promovimin e festivalit.

Në edicionin e sivjetëm që do të zhvillohet më 3 qershor, pritet të performojnë sërish shumë nxënës. Sigurisht, pa mbështetjen e prindërve dhe dashamirësve, ky aktivitet nuk mund të ketë vazhdimësi. Përmes kësaj mbështetjeje arrihet të sigurohen që nga salla, fonia dhe pajisjet e ndriçimit e deri tek veshjet, dekorimet, posterat apo fletushkat e programit.
Duke njohur mirë rëndësinë e madhe të suportit financiar në favor të aktiviteteve të fëmijëve dhe komunitetit, pianistja Sofia Papadhimitri, ka marrë së fundi nismën për t'a mbështetur festivalin me një fushate mbledhje fondesh nëpërmjet GoFundMe. Donacionet sado të vogla të jenë, do të shërbejnë për të mbuluar sërish koston e organizimit.
Sofia Papadhimtri është një anëtare e njohur e komunitetit të artistëve shqiptaro-kanadezë në Toronto, njëkohesisht dhe vajza e violinistit të mirënjohur Jani Papadhimitri, ish-koncert maester i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe një nga pedagogët më të shquar të shkollës shqiptare të violinës. Sëbashku me të jatin dhe motrën e saj, Livia, Sofia performon rregullisht në kuadër të formacionit Trio Fammus.

Shumë prindër i janë bashkuar kësaj nisme menjëherë. Organizatorët shpresojnë në kontributin gjithnjë e më të madh të bashkatdhetarëve artdashës në Toronto në favor të talenteve të reja. Vlen të theksohet se iniciativa e grupit organizator jo vetëm që meriton të mbështetet, por mbi të gjitha duhet vlerësuar e respektuar për përkushtimin dhe pasionin e veçantë profesional.
Në këtë adresë https://www.gofundme.com/marleesgottalent2018 ju mund të merrni dhe udhëzimet rreth mënyrës së kontribuimit në mbështetje të Festivalit të talenteve të rrugës Marlee, edicioni 2018.












